Një “Pasdite” me Manjola Nallbanin

14/09/2012 18:50

Manjola Nallbani ishte protagonistja e emisionit ‘Pasdite në Top Channel’, ku foli për muzikën, karrierën e saj të hershme si aktore, politikën e shumë tema të tjera.

Këngëtarja e famshme theksoi se vështirësia e koncerteve që jep për shqiptarët jashtë kufirit qëndron në shumëllojshmërinë e këngëve që i kërkohet të këndojë: “Kur marr pjesë në mbrëmje shqiptarësh unë këndoj rreth 7 lloje muzikësh popullore. Kënga popullore më ka çuar ngado ku ka shqiptarë përtej kufirit dhe nëse këndoj një këngë korçare, ngrihet një shkodran e më kërkon një këngë shkodrane. Pas tij një tiranas e kështu me radhë.”

Në lidhje me ofertat që ka pasur për t’i hyrë politikës, Manjola deklaroi: “Jam e ndjeshme ndaj situatave politike sepse jetoj në Shqipëri. Mua më është ofruar të jem pjesë e politikës, por unë as e njoh e as e manovroj dot atë. Nuk është në natyrën time.”

Këngëtarja ka interpretuar në dy filma shqiptarë: “Rikonstruksioni” dhe “Eja. Në lidhje me karrierën si aktore, këngëtarja kujtoi: “E kisha me merak mos të më kapnin në profil (qesh). Ka qenë periudhë e mrekullueshme sepse atëherë ishte vetëm një televizion dhe ishte gjë e madhe të shfaqeshe në televizor. Kudo ku shkonim na prisnin mirë.”

Manjola shpjegoi se pse nuk e vazhdoi karrierën kinematografike: “Kam pasur një karrierë modeste sepse u përqendrova tek kanto. Brezi im e pëlqente shumë dhe të fitoje shkollën atëherë ishte sukses i madh sepse pranoheshin në numër shumë të vogël në kanto.”

Përsa i përket rrjeteve sociale, Manjola u shpreh se nuk është fanse e madhe e tyre: “Nuk jam e fiksuar, por më pëlqen që rilidhesh me shokët e shoqet e shkollës. Nuk rri shumë dhe habitem sesi njerëzit e kalojnë kohën në Facebook gjithë ditën.”

Duke folur për Tiranën, vendlindjen e saj, këngëtarja theksoi: “Do doja që të ishte ndryshe. Kam qenë në Shkup dhe u bëra xheloze. Atje kishte shatërvane, vepra arti ndërsa në Tiranë nuk ka dhe më vjen inat. Unë e dua Tiranën verbërisht sepse kam lindur dhe jam rritur aty, por disa gjëra mund të ishin më mirë.”

Manjola zbuloi edhe se i pëlqen shumë të lexojë: “Aktualisht më shumë lexoj sesa këndoj. E dua shumë librin dhe sa herë që shkoj me pushime marr libra me vete. Uroj që të kem sytë në rregull kur të jem e moshuar që të mund të lexoj. Vetëm këtë kërkoj .”

Më pas, këngëtarja e cila jep mësim në Akademinë e Arteve, foli edhe për marrëdhënien me studentët: “Marrëdhënia me studentët është shumë interesante. Kur nisa të jepja mësim më dukej vetja vetë si studente. Ke të bësh me të rinj që të japin energjinë pozitive. Ke kënaqësi kur jep dijet e tua dhe ata marrin rezultate të larta. Është një ndjesi shumë e bukur.”

Top Channel