Kur ende nuk është harruar skandali i princit Harry në Las Vegas, familja mbretërore britanike, përfshihet në një tjetër situatë të sikletshme.

Këtë herë personazhi i vendosur në qendër të vëmendjes së mediave është as më pak e as më shumë, vetë Dukesha e Kembrixhit dhe bashkëshortja e princit William, Kate Middleton.

Revista franceze gossip, Closer botoi në numrin e saj të së premtes foto të Dukeshës ashtu sic nuk është parë ndonjëherë, thuajse lakuriq. Revista sqaron se fotot janë marrë gjatë pushimeve që cifti mbretëror britanik kaloi në jug të Francës pak javë më parë.

Në imazhet e publikuara, Middleton shfaqet krejtësisht e zhveshur në pjesën e sipërme të trupit duke marrë rreze dielli në tarracën e kompleksit që ajo së bashku me William kishin zgjedhur për të kaluar disa ditë pushime.

Botimi i fotove ka alarmuar familjen mbretërore. Kjo e fundit vendosi të padisë revistën franceze për shkelje të privatësisë. Ndërkaq, vetë Closer, nëpërmjet një shkrimi në edicionin online të saj, mbrohet duke thënë se nuk ka shkelur asnjë ligj dhe se fotot janë publikuar vetëm në edicionin e saj në Francë, pa shkelur ligjet britanike.

Revista thotë se s’ka bërë as më pak e as më shumë se sa publikimin e disa fotove nga jeta “e një çifti të ri, të lumtur e të dashuruar” me pushime.

Top Channel