Më e bukura e Malësisë së Madhe

12/09/2012 18:55

Ajo është zana e maleve. Zyrtarisht, vajza më e bukur e Bjeshkëve për vitin 2012. Quhet Marsela Bujaj, është 16 vjeç dhe sapo ka vënë mbi krye kurorën më të lakmuar prej vajzave të këtyre anëve.

“Nuk është vetëm bukuria, por edhe shkathtësia. Vendosa të marr pjesë sepse më pëlqente prej kohësh diçka e tillë. Prandaj mezi prisja të rritesha dhe të merrja pjesë në një aktivitet të tillë”, tha Bujaj.

Logu i Bjeshkëve, konkursi që zgjedh më të bukurën e maleve tashmë është bërë një tradite disa-vjeçare që zhvillohet nga Komuna e Kelmendit të rrethit të Malësisë së Madhe. Por, “Miss Bjeshka” nuk është thjesht një garë mes të bukurave. E përzgjedhura duhet të mbartë virtyte dhe shumë aftësi.

“Për të marrë pjesë ishte një gëzim shumë i madh nga ana ime, por kur konkurron në Logon ka shumë emocione, mendon kush do e marrë unë apo tjetra, kush është më e bukura. Emocionet nga mbarimi, kur afrohet ndarja e çmimeve bëhen gjithmonë e më të mëdha”.

Edhe pse një kompeticion shume i lokalizuar, Miss Bjeshka ka një rëndësi shumë të madhe për vajzat e zonës. Ato konfirmojne bukurine në Logun e tyre dhe për një vajze që bën një jetë shumë të thjeshtë, ngjarja merr domethënie jashtëzakonisht të madhe.

“Të them të drejtën pak a shumë e prisja një çmim, por kur më thanë që isha unë fituesja u gëzova shumë”, thotë Marsela, e cila garoi sivjet mes 12 bukurosheve të përzgjedhura nga vende të ndryshme të Malësisë së Madhe.

“Disa prej shoqeve më uronin, ndërsa të tjerat jo sepse në fund të fundit ishte një garë dhe të gjithë donin të fitonin, por është e qartë që nuk mund të fitojë kushdo”.

16-vjeçarja nga fshati Tamare do të mbretërojë për një vit me kuroren e më të bukurës së vendit. Por, përveç afirmimit të bukurise se saj, titulli i Miss-it nuk do të ndryshojë shume pritshmëri në jetën e vajzës. Ajo sërisht mbetet një bukuroshe që do të duhet të merret me gjërat e zakonshme të jetës së saj.

Top Channel