Kur kanë kaluar 24 orë nga oferta prej 850 milionë eurosh për privatizimin e ‘Albpetrol’, misteret dhe pikëpyetjet mbi tenderin dhe fituesit e mundshëm të tij po shtohen me ritme të shpejta.
Misterin po e ndihmon edhe vetë komisioni i tenderit që ende nuk ka bërë publike të dhënat e kompanive, por vetëm ditën e hapjes së ofertave ka dhënë emrat dhe çmimin e ofruar për ‘Albpetrol’ nga secila kompani në garë.
Për të mësuar më shumë rreth identitetit të blerësve potencialë të pasurisë publike të shqiptarëve, në një sektor strategjik siç është nafta, dhe që fillimisht iu atribua një konsorciumi amerikan, Top Channel i kërkoi zyrtarisht nëpërmjet një email-i kompanisë ‘Silk Road Equity LTD’ në Shtetet e Bashkuara të konfirmonte ofertën e saj në tender.
Në të njëjtën kohë, Top Channel kërkoi të lidhej për një koment mbi këtë ofertë me kompaninë në fjalë edhe përmes numrit të telefonit të pasqyruar në ëebsite-n zyrtar të kësaj kompanie.
Numri rezultoi të ishte një telefon celular. Por ndërsa numri i telefonit ka një prefiks të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në receptor vazhdimisht të përgjigjet sekretaria telefonike e kompanise Vodafone Italia, e cila bën me dije se personi mund të ketë fikur telefonin. Më tej telefonata transferohet në një tjetër numër, tek një sekretari telefonike e cila kërkon të lihet një mesazh zanor.
Po kështu faqja zyrtare e internetit e kësaj kompanie nuk njofton asnjë event apo lajm që ka të bëjë me veprimtarinë e saj, as atë të mëparshme dhe as atë të ditëve të fundit. Madje, as lajmin e ofertës për blerjen e ‘Albpetrol’.
Në pamundësi për të kontaktuar gjatë 24 orëve që pasuan hapjen e ofertave me kompaninë që ka ofruar shumën më të madhe dhe që deri tani konsiderohet si pronari potencial i monopolit të naftës shqiptare, mbi dhe nën tokë, Top Channel iu drejtua edhe zotit Esad Puskar, përfaqësuesi ligjor i konsorciumit ‘Silk Road Equity’ dhe ‘Vetro LTD’ në numrin e celularit shqiptar për të konfirmuar ofertën dhe për të konfirmuar pjesëmarrjen e vërtetë të kompanisë amerikane në tender.
Një zë në shqip sqaron se zoti Puskar nuk ndodhet në zyrë dhe se mund të kontaktohet përmes email-it. Disa orë më vonë në celular dëgjohet zëri i sekretarisë që thotë se personi tashme është i paarritshëm. A do të arrihet ai më vonë, kjo sërish mbetet në kuadrin e misterit të përgjithshëm të këtij tenderi.
Top Channel iu drejtua edhe përmes email-it zotit Puskar, por sërish nuk mori asnjë peëgjigje prej tij. Essad Puskar është një boshnjako-amerikan shumë i njohur deri tani jashtë Shqipërisë, veçanërisht në Kosovë.
Puskar, një personazh kontrovers, ishte njeriu në qendër të skandalit që shoqëroi zgjedhjen e Behxhet Pacollit president në Kuvendin e Kosovës në 22 shkurt të vitit të kaluar.
Gjatë seancës për zgjedhjen e Pacollit ishte pikërisht ky individ që shërbente si ndërmjetës në komunikimet me mesazhe mes ish-ambasadorit amerikan në Prishtinë, Chris Dell dhe vetë zotit Pacolli.
Po në Shqipëri, Puskar ka shërbyer si këshilltar i parë i një biznesmeni të njohur dhe po kaq kontrovers në fushën energjetike në vend, Rezart Taçi.
Nga ana tjetër, zoti Puskar ka qenë mjaft aktiv në Baku muajt e fundit, me takime të nivelit të lartë dhe premtime për hapësira të reja investimi në Europë.
Kjo lidhje mes zotit Puskar, zotit Taçi dhe Azerbaixhanit duket se po risjell në vëmendjen e publikut një skenar të ngjashëm të pak viteve më parë, kur qeveria shqiptare privatizoi pikërisht kompaninë ‘Armo’.
Edhe në atë kohë fillimisht u tha se blerësi ishte një kompani amerikane nga Tekasasi, por që më vonë rezultoi të ishte Rezart Taçi. Nëse konfirmohet oferta dhe shpallet fituesi, mbetet për t’u pare se cili do të jetë pronari i vërtetë i ‘Albpetrol’ dhe nga do të vijnë paratë.
Një mister edhe më i madh dhe që duket se ka futur në konfuzion edhe qeverinë shqiptare, e cila ka dy ditë që hesht për ofertën e çmendur prej 850 milionë eurosh.
‘Albpetrol’, METE: Po shqyrtojmë ofertat
Ndërkohë, mbrëmjen e së shtunës lidhur me tenderin e kompanisë ka reaguar Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, përmes një njoftimi për shtyp.
“Në përfundim të shqyrtimit do të bëhet vlerësimi final i ofertave për privatizimin e “Albpetrol’”, thuhet në komunikatën dërguar mediave nga METE.
Reagimi i ministrisë erdhi pas denoncimeve në media se ende nuk ka të dhëna konkrete mbi kompanitë që kanë shprehur interesin për të blerë kompaninë shqiptare të naftës.
Top Channel