Fillim-shtatori në kinematë “Imperial”

06/09/2012 17:45

Në një qytet që vuan kritikat e një jete artistike të varfër, kinemaja ngelet një opsion interesant. Rrjeti i kinemave “Imperial” sjell në këtë fillim shtatori dy nga sukseset e fundit të kinemasë botërore.

“The Bourne Legacy, seria më e fundit e trilogjisë së famshme, tashmë po shfaqet dhe në vendin tonë.

Altin Prifti thekson: “Është një film që ka pasur sukses në kinematografinë botërore dhe padyshim që duhet parë. Kjo trilogji ka grumbulluar deri tani mbi 1 miliardë dollarë në gjithë botën. Tek prodhimi i fundit zgjerohet pak tema, ka elementë argëtues.”

Premisat e “The Bourne Legacy” duken shumë të mira. Shikuesit e ditëve të para të projeksionit kanë qenë të shumtë.

“Pritja nga publiku ka qenë goxha e mirë. Jemi të kënaqur. Besoj se interesimi do të jetë edhe më i lartë në ditët në vijim”, shprehet Prifti.

Të gjithë e kemi parë Matt Damon në përpjekje kundër punëdhënësve të vet, por në pjesën e tretë ylli hollivudian është zëvendësuar nga aktori Jeremy Renner, i famshëm ndërkombëtarisht, por jo ende shumë i njohur në Shqipëri.

“Kritika në botë ka pasur dyshime për filmin, por që në ditët e para ka grumbulluar më shumë se 70 milionë dollarë. Vetë Matt Damon ka qenë dakord që Jeremy Renner të jetë pasardhësi i tij në këtë sagë”, tregon drejtori i rrjetit “Imperial”.

Spiunazhi dhe aksioni janë një temë shumë e dashur për filma, por dhe për biseda. James Bond me kolegë duhet të ulen në reshtin e parë dhe të shohin bashkë me ne të tjerët se çfarë ndodh brenda botës së spiunazhit nëpërmjet pjesës së tretë të “The Bourne Legacy”: “Ka shumë njerëz që merren me spiunazh ndërkombëtar dhe ky film tregon botën brenda spiunazhit, çfarë ndodh me të vërtetë aty.”
Sigurisht që ky film është një alternativë e mirë, por fëmijët janë të interesuar për të tjera aventura.

Prifti tregon: “Jemi kujdesur që në kinematë “Imperial” fëmijët të kenë patjetër çdo javë nga një film të ri.”

Për më të vegjëlit sigurisht që është menduar me një tjetër sukses me kafshët e periudhës së akulllt, film i cili ndërkohë që po flasim ka pasur arkëtime të çmendura në të gjithë botën.

“Filmi Ice Age është i fundit 3D i animuar. Personazhet janë të njohur për fëmijët sepse ky është filmi i katërt i sagës. Në momentin që po flasim ky film ka grumbulluar në të gjithë botën rreth 850 milionë dollarë.”

Top Channel