Pogradec, festivali i filmit dhe kulinarisë

04/09/2012 20:15

Është çelur në qytetin e Pogradecit edicioni i dytë i festivalit ballkanik të filmit dhe kulinarisë, i organizuar nga një grup i mirënjohur kineastësh shqiptarë.

Në festival marrin pjesë 9 vende nga Ballkani dhe synohet shkëmbimi i eksperiencës, por edhe promovimi i vlerave kinematografike.

Sipas organizatorëve, janë 10 filma artistikë e 32 filma me metrazh të shkurtër e dokumentarë. Pas çeljes që është bërë natën e parë, radhën e ka pasur Maqedonia e cila ka sjellë filmat artistikë.

Organizatori Fatos Baxhaku thekson: “Patëm një përshtypje pozitive. Interesi është shumë më i madh se edicionin e kaluar. Këtë herë ka më shumë shtete.”

Regjisori Eno Milkani, i kënaqur nga suksesi i këtij festivali, është shprehur entuziast që ky festival u soll për herë të dytë në një mënyrë të veçantë siç është krijuar: “Nga nëntë shtete ka një larmi filmash me metrazh të shkurtër, të gjatë dhe vizatimorë. Ka filma të mirë serbë, maqedonas dhe turk.”

Prezantimi i filmit maqedonas është ndjekur me interes edhe nga ambasadori maqedonas në vendin tonë, Vele Trpevski.

“Është një mundësi shumë e mirë të cilën ne e kemi mbështetur që vjet. Është një punë shumë e mirë që është bërë këtu dhe është për tu vlerësuar mundësia që na jepet për të promovuar kulturën tonë, ushqimin dhe traditën sepse kemi shumë për të ofruar nga të dyja palët dhe njerëzit kanë mundësi t’i njohin nga afër vlerat. Kjo është e mirë edhe për turizmin pasi ka vizitorë nga Maqedonia që vijnë këtu enkas për këtë festival dhe njihen edhe me vlerat e qytetit. Shpresoj që tradita e këtij festivali të vazhdojë”, deklaron Trpevski.

Festivali do të vijojë deri të dielën ku do të zhvillohet edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve për fituesit.

Top Channel