Martesat VIP të vitit 2012

04/09/2012 18:40

Dita e dasmës cilësohet si dita më e bukur dhe e lumtur në jetën e një çifti. Shpesh organizimi i saj kërkon punë, kohë dhe durim, veçanërisht kur nusen dhe dhëndrrin e ndjek nga pas një numër i madh paparacësh.

Martesat e fshehta me pak njerëz dhe pa shumë bujë kanë qenë zgjedhja e çifteve më të famshme të Hollivudit gjatë 2012-s.

Justin Timberlake dhe Jessica Biel janë frekuentuar me njëri-tjetrin që në vitin 2007. Për disa muaj kaluan një krizë të thellë, por pasi kuptuan se nuk qëndronin dot larg njëri-tjetrit, Timberlake i propozoi për martesë të dashurës së tij në malet Jackson. Ata e kanë kurorëzuar lidhjen e tyre në vendin ku Jessica u propozua.

INTIMITET. Ka qenë kjo kryefjala e martesës mes Natalie Portman dhe Benjamin Millepied. Ata planifikuan një dasmë të personalizuar ku përfshiheshin elementë të besimit hebre, ushqim vegjetarian dhe lule të egra shumëngjyrëshe.

Por jo të gjitha ceremonitë martesore të planifikuara gjatë këtij viti kanë përfunduar me sukses. Mendohej se në dasmën e Angelina Jolie dhe Brad Pitt do të përfshiheshin edhe gjashtë fëmijët e tyre, por çifti vendosi ta anullojë dasmën e planifikuar në muajin gusht.

Ndërkohë Jennifer Aniston dhe Justin Theroux kishin ide të ndryshme për mënyrën e organizimit të ceremonisë së tyre martesore. Gjithsesi, për ta ndarja ishte më e afërt se altari.

Në Shqipëri martesat VIP gjatë vitit 2012 numërohen me gishta. Mirjeta Bajramaj, e Big Brother 4, u martua këtë verë me Ergys Bamçin. Në media ka bërë të ditur se dasma i ka kushtuar 15 mijë paund.

Rilind Reka, pas ndarjes me këngëtaren Tuna, ka vendosur të martohet për herë të dytë. Në një ceremoni shumë private dhe familjare, Rilindi është martuar me Besa Haxhajn.

Top Channel