Drama e 100-vjetorit të pavarësisë

04/09/2012 15:30

Drama “Ëndrra e Ismail Qemalit” e autorit Bashkim Kozeli, u shpall fituese në konkursin e dramës shqipe, të organizuar me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar.

Mustafa Tukaj u vlerësua me çmimin e dytë për dramën e tij “Të ftuarit”, ndërsa çmimi i tretë i shkoi Stefan Capaliut, i cili u paraqit me “Provat gjenerale të Pavaresise”.
 
“Jam shumë i emocionuar dhe i gëzuar për këtë çmim. Flitet për figurën e madhe të Ismail Qemalit, i cili është simboli i Shqipërisë në këtë 100-vjetor”, shprehet Kozeli.

Juria, e përbërë nga disa prej emrave më të njohur në fushën e artit, si dramaturgu dhe regjisori Mihal Luarasi, aktorët Yllka Mujo dhe Ndriçim Xhepa, si dhe studiuesi i letërsisë nga Kosova, Basri Caprici, në prani të ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi, kanë vlerësuar prurjet në këtë konkurs.

30 dramaturgë kanë paraqitur punët e tyre, shumë prej të cilave janë lavdëruar mjaft nga juria dhe në bashkëpunim me teatrot e rretheve, do të vihen në skenë këtë sezon teatror dhe atë në vijim.  

Mihal Luarasi, kryetar i jurisë në konkursin për dramën shqipe, theksoi: “Do të ketë edhe 7-8 vepra të tjera që janë me vlera. Këto vepra do ta shohin dritën e skenës gjatë sezonit të ardhshëm.”

Z.Luarasi, gjatë fjalës së tij, ngriti gjithashtu një shqetësim aktual për mungesën e degës së Dramaturgjisë në Universitetin e Arteve, një degë e cila do të rriste edhe më tepër cilësinë teknike të të shkruarit të dramës.

Ndërsa ministri Bumçi vlerësoi krijimin e një tradite për mbështetjen e dramës dhe dramaturgëve shqiptarë.

Top Channel