Zjarret, gjendje e jashtëzakonshme

29/08/2012 22:20

Si rezultat i rëndimit të situatës së krijuar nga zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit, Shtabi i Përgjithshëm dhe të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura kanë kaluar në gatishmëri të plotë.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi mbrëmjen e së mërkurës se ka vënë në gatishmëri të gjitha forcat dhe mjetet për të përballuar këtë situatë, që e cilëson shumë të rënduar. Në një njoftim zyrtar thuhet se:

“Me urdhër të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Xhemal Gjunkshi, është ngritur një grup i veçantë, nën drejtimin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm për Operacionet, gjeneral brigade Sandër Lleshi, i cili do të menaxhojë në vijimësi situatën emergjente të krijuar”.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, një situatë e vështirë paraqitet në Qafë Priskë dhe në Malin e Dajtit, ku janë angazhuar 164 forca, 7 mjete dhe një autoambulancë.

Ndërkohë, të enjten, që në orët e para të mëngjesit, për përballimin e situatës së krijuar në Malin e Dajtit dhe në Qafë Priskë do të angazhohen edhe 600 trupa të tjera, një helikopter, disa mjete të tjera transporti dhe autoambulanca të Foracave të Armatosura.

Situatë e rënduar është edhe në Pukë, ku janë rrezikuar edhe disa banesa. Vatra zjarri ka në Kukës, Dibër, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër e Berat.

Top Channel