Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, që po mbahet në Durrës, është prezantuar filmi “Kodi i Jetës”, me regji të Ekrem Kryeziut. Shfaqja ishte edhe premiera e këtij filmi gjatë natës së tretë të këtij festivali.

Filmi bazohet në një histori të vërtetë dhe risjell dramën e eksodit masiv të shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës.

“Kam punuar me dhimbje për këtë film dhe dhimbja më përcolli këtu. Unë personalisht duhet ta harroj këtë ngjarje, por jo populli. Në Kosovë ndaj filmit ka pasur një sulm frontal nga disa qarqe, pasi nuk kam bërë elozhe për njerëz që sot janë gjallë dhe janë në poste shtetërore”, ka deklaruar Kryeziu.

“Kodi i Jetës” i vendos ngjarjet në kohën e dhembjes së popullit të Kosovës, gjatë luftës së fundit të viteve 1998-1999.

Filmi shpalos historinë e dhimbshme të Lan Druvarit, të shpëtuarit gjallë nga pushkatimi dhe i Marijes, që ikën nga kamioni me kufoma ku pasi e kishin dhunuar dhe rrahur për vdekje, e kishin hedhur edhe atë, duke e menduar të vdekur.

Në ikje e siper, Marija gjen një foshnjë të gjallë pranë nënës së vrarë. Lani, Marija dhe foshnja, në kërkim të familjarëve të humbur, ballafaqohen me tmerre të pafund. Pjesë e këtij “trekëndëshi” është edhe njësiti i vogël i UÇK-së që udhëhiqet nga Vetima, djali i Lanit.

Odiseja e treshes Lani, Marija dhe Vetima është përplot ngjarje të dhimbshme, por edhe çaste ndjeshmërie dhe bukurie. Këto rrjedha shumë herë kryqëzohen ndërmjet tyre derisa të arrihet katarsisi ku fiton njerëzorja.

Top Channel