Aktori Bob Hoskins vuan nga Parkinsoni

09/08/2012 09:40

Aktori Bob Hoskins do të tërhiqet nga kinematografia pasi është diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit.

69-vjeçari është bërë i famshëm me filmin ‘Who Framed Roger Rabbit’ dhe paraqitja e tij e fundit në ekranin e madh ishte në filmin ‘Snow White and the Huntsman’ që u shfaq në kinema këtë vit.

Hoskins e bëri të ditur lajmin e këtij çrregullimi në tru ditën e mërkurë, disa muaj pas diagnostikimit.

Në komunikatën e lëshuar nga agjenti i tij lexohet: “Bob Hoskins njofton se do të tërhiqet nga aktrimi pas diagnostikimit me sëmundjen e Parkinsonit. Ai falenderon të gjithë njerëzit me të cilët ka punuar përgjatë katër dekadave dhe të gjithë fansat që e kanë mbështetur gjatë karrierës. Tashmë Bob do të qëndrojë me familjen dhe do të donte që të respektohej privatësia e tij.”

Simptomat e Parkinsonit përfshijnë dridhje të trupit dhe vështirësi në lëvizje. Gjithashtu mund të vihen re vështirësi në mbajtjen e ekuilibrit.

 

Top Channel