Elhaida Dani, triumf në Rumani

08/08/2012 20:30

Fituesja e edicionit të 9-të të “Top Fest”, Elhaida Dani ka triumfuar sërish një konkurs muzikor, këtë radhë në festivalin ndërkombëtar të muzikës pop “Liga e Kampioneve”, në Pietra Nemt të Rumanisë, ku përveç çmimit të madh është vlerësuar edhe me tre çmime të tjera në kategori të ndryshme.

“Ishte edicioni i tretë i një festivali të njohur që organizohej nga një prej yjeve më të mëdhenj të muzikës rumune, i katëri në Eurovizionin e vitit 2006. Në përfundim dola fituese me katër çmime të mëdha dhe ndihem shumë e vlerësuar.  Gjatë këtij viti kam fituar shumë çmime të rëndësishme dhe të gjitha janë të para. Është një periudhë shumë e rëndësishme e jetës sime, që ka një rëndësi të madhe për të ardhmen, por pa dyshim, “Top-Fest” është arritja më e madhe. Suksesi në këtë festival kaq prestigjoz në Shqipëri ma dha shtysë për të arritur të gjithë objektivat e tjerë”, tha 19-vjeçarja Dani.

Festivali “Liga e Kampionëve” është një event ndërkombëtar i muzikës pop, ku këngëtarë të përzgjedhur nga Rumania konkurrojnë përballë këngëtarëve të ndryshëm nga mbarë bota.

Konkurrentet  jo rumunë duhet të kenë fituar të paktën një çmim në karrierën e tyre, për të siguruar një vend në këtë festival.

Një tjetër pjesëmarrëse në këtë kompeticion, ka qenë edhe një prej konkurrenteve të edicionit të parë të “The voice Of Albania”, 15-vjeçarja nga Shkodra, Enrika Derza, e cila u rendit edhe ndër katër finalistët e spektaklit të njohur.

Edhe për Enrikën ka qenë kjo një eksperiencë e suksesshme, pasi u vlerësua nga juria profesionale me piket maksimale, duke marrë edhe një çmim në kategorinë “Junior” të festivalit.

Top Channel