Ata janë miq për kokë, por bashkëpunimi mes tyre ka qenë shumë i
vështirë. Bëhet fjalë për Sylvester Stallone dhe Arnold Schwarzenegger,
të cilëve u janë dashur plot 20 vjet për të luajtur në të njëjtin film.

Këtë e ka thënë vetë Schwarzy në prag të filmit “Mercenarët 2”, ku interpreton me Stallone dhe yjet e tjerë të filmave aksion.

“Gjithmonë kemi dashur të dilnim në një film së bashku, por sa herë më kërkonte ai isha i zënë unë dhe sa herë e kërkoja unë ishte i zënë ai”, tregon aktori i “Terminator”.

Përputhja e axhendave të dy aktorëve më muskulozë të Hollivudit ndodhi fare rastësisht, në dyqanin e një berberi.

“Sly hyri në dyqan dhe teksa unë po qethesha më tha se do të kishte qenë e mrekullueshme nëse do të kisha xhiruar një pjesë të vogël tek filmi “Mercenarët” të vitit 2010. U tha dhe u bë”, tregon më tej Schwarzy.

Tani ish-guvernatori i Kalifornisë është në kastin e “Mercenarët 2”, që do të dalë në kinematë e të gjithë botës më 17 gusht.

Top Channel