Një verë me humor Portokalli

06/08/2012 00:00

“Verë dhe Portokalle”, spektakli i humorit të Portokallisë, që po
udhëton nëpër qytete të ndryshme të vendit ka mbërritur në Kavajë.

Mijëra njerëz ndoqen aktorët, të cilët kanë performuar rreth 20 numra duke ndezur atmosferën verore me shumë muzikë dhe improvizime të çastit.

Nata ishte e veçantë dhe e rrallë, pasi për herë të parë sheshi në qendër të qytetit, nuk u mbush nga pjesëmarrës në takime të detyruara politike, por për kënaqësinë dhe freskinë që përcjell humori i “Portokallisë”, që stigmatizon fenomene të së përditshmes.

Të qeshura dhe duartrokitje pa fund ka patur gjatë spektaklit, ndërsa surprizë ka qenë imitimi i kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi dhe reagimi i publikut.

“Verë dhe Portokalle” solli gjallëri dhe një fundjavë ndryshe në Kavajë. Në skenën u ngjitën personazhet e njohur të spektaklit të humorit me pjesë nga më të mirat e sezonit. Për publikun ishte një moment i veçantë, pasi mundën të kenë kontakt të drejtpërdrejt me aktorët, të cilët deri më tani i kishin ndjekur në ekranin e Top Channel çdo të diel mbrëma. Kjo ka qenë ndalesa e pestë e trupës së ‘Portokallisë’, e cila do të vijoje turin edhe ne qytete te tjera te vendit.
 

Top Channel