“Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna”

06/08/2012 09:50

Kushdo që e ka parë, e mban mend përfundimin e hidhur të filmit ‘Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna’, kur Diellza mbetet vetëm pasi i dashuri i saj, për shkak të rrethanave në film, vetëvritet.

Pikëpyetjeve për fatin e Diellzës pas plot 15 vitesh u jep përgjigje regjisori Ekrem Kryeziu nëpërmjet një skenari i cili do të sjellë pjesën e dytë të filmit “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna”.
 
Nga një bashkëpunim i Top Channel me shtëpinë filmike Labia xhirimet nisën këtë fundjavë.
 
Ngjarja nis të zhvillohet në Bjeshkët e Rugovës kur ish-komandanti i UCK-së Samiri, rolin e të cilit e sjell Florian Agalliu,  kthehet në Rugovë për të rivarrosur eshtrat e ish-bashkëluftëtarit të tij.
 
Këtu nis aventura e tij me Diellzën e cila në pjesën e parë të filmit kishte pasur fatin e hidhur të dashurohet me vëllain e saj pa e ditur.
 
“Ky film ka një përfundim të lumtur edhe pse deri në fund është plot me aksion, pasion dhe dhembje”, shprehet regjisori Ekrem Spahiu.
 
“Kam marrë shumë informacione për luftën e Kosovës në mënyrë që të kuptoja më mirë se çfarë kishte ndodhur. Misioni i artë i kinemasë është të tregojë realitetin dhe për ta ndrequr atë. Do të përpiqem të bëj punën time sa më mirë”, thekson aktori Florian Agalliu.
 
Filmi është i zhanrit aksion-romancë. Përveç pretendimeve për të vazhduar një film që dikur fitoi zemrat e shumë shqiptarëve, pjesa e dytë do të sjellë edhe figurën e aktorit të mirënjohur Faruk Begolli, i cili nuk jeton më. Dikush do të luajë rolin e tij. Regjisori thotë se ka për qëllim ta paraqesë Begollin nëpërmjet një figure tjetër 15 vjet më të vjetër.
 
Pjesa e dytë e filmit ‘Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna’ nuk do të mund të realizohej pa personazhin kryesor të pjesës së parë:  Diellza Kolgecin. Ajo edhe këtë herë vjen si femra për të cilën do të zhvillohet një betejë e ashpër.
 
“Pjesa e dytë e filmit do të jetë edhe më interesant sepse do të ketë më shumë dashuri e më shumë aksion”, shprehet Djellza.
 
Xhirimet e filmit do të vijojnë në Shqipëri dhe në Amerikë, ndërsa i gatshëm për publikun do të jetë në fillimin e vitit 2013.
 

Top Channel