Bashkimi Kombëtar kërkon shumë punë përveç vullnetit

30/07/2012 00:00

GJERGJ EREBARA – Disa thirrje të nacionalizmit folklorik gjatë viteve të
fundit na e kanë paraqitur bashkimin kombëtar (që sot për sot nënkupton
bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës) si ndonjë akt solemn në të cilin
do të ngrihet një flamur dhe do të shpallet botërisht shteti i
përbashkët.

Nacionalistët që flasin për bashkimin kufizohen këtu: te debati nëse duhet të bashkohemi apo jo. Pyetjet se si mund të realizohet kjo e çfarë nënkupton bashkimi në vetvete nuk janë shtruar kurrë. Pyetjet më elementare se çfarë forme qeverisjeje do të ketë shteti i ardhshëm i imagjinuar, ku do të jetë kryeqyteti etj., nuk janë shtruar kurrë. Dhe kjo tregon se për fat të keq, megjithëse bashkimi kombëtar shihet tashmë si një proces i pashmangshëm, ata që e propagandojnë këtë ide, nuk kanë kaluar përtej nacionalizmit idealist drejt realitetit praktik.

Shqiptarët dhe kosovarët janë një komb dhe tentativat për të krijuar një komb kosovar me simbole e identitet duket se janë të pashpresa dhe nuk kanë të ardhme. Por përveç identitetit të përbashkët, të dy vendet janë shumë të ndryshme nga pikëpamja e institucioneve, sistemeve ekonomike dhe ligjore, sistemit fiskal, shkallës së zhvillimit institucional etj.

Vetëm duke menduar disa elemente nga këto si dhe vështirësitë praktike në atë që mund ta quajmë në gjuhën e BE-së “përafrim institucional”, të bën të mendosh se nëse e nisim sot punën e bashkimit, ndoshta pas disa dekadash do të mund të themi se do të jemi me të vërtetë një komb dhe një shtet. Një proces i tillë jo vetëm që do të kërkojë shumë kohë, por do të kërkojë edhe aftësi shkencore e institucionale, administratë publike mirëfunksionale dhe sistem politik të prirur nga kompromisi, si dhe politikanë largpamës. Procesi nënkupton përqendrimin e burimeve ekonomike dhe njerëzore kombëtare për arritjen e krijimit të institucioneve të përbashkëta. Të gjitha këto, për fat të keq na mungojnë. Politika shqiptare në Tiranë e Prishtinë është në zgripin e sistemit të kleptokracisë. Politikanët ia besojnë pushtetin darovitjes së parasë, pozicioneve publike që prodhojnë para në këmbim të votave. Sistemet akademike në të dy vendet janë shumë larg të qenët institucione frymëzuese kombëtare, ndërsa universitetet janë shumë larg të qenët qendra kërkimore shkencore.

Në këtë pikë, bashkimi kombëtar ngjan si një ëndërr e largët, e cila është e destinuar të mbetet ëndërr edhe sikur 100 për qind e popullatës të të dyja vendeve ta mbështesin me entuziazëm.

Pyetja e parë që shtrohet është se nëse shqiptarët do të bashkohen, shteti i ardhshëm do të jetë federativ apo i centralizuar. Cila do të jetë shkalla e autonomisë vendore? Ku do ta ketë selinë qeveria qendrore a federative? Cilat do të jenë të drejtat e votës së qytetarëve të të dy shteteve?

Shqipëria ka aktualisht një sistem administrativ dy nivelësh me bashki dhe komuna, ndërsa Kosova e ka me një nivel, pra ka vetëm komuna. Përcaktimi i një kryeqyteti të ri për qeverinë e përbashkët është një pyetje që deri më sot nuk ka tërhequr asnjë argumentim. Përcaktimi i Tiranës si i tillë, nënkupton në një farë mënyre pushtimin e Kosovës nga Shqipëria. Ndërtimi i një kryeqyteti të ri në kufirin mes dy vendeve mbart kosto të mëdha.

Pyetje të tjera të rëndësishme përfshijnë sistemin fiskal, i cili në Kosovë është më i zhvilluar dhe mirorganizuar sesa në Shqipëri, sistemi i pensioneve, të cilin gjithashtu Kosova e ka më të mirë, sistemi i prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë, sistemi i postës dhe telekomunikacioneve, unifikimi i sistemeve bankare, i mbikëqyrjes bankare, i ligjeve me impakt të gjerë shoqëror si kodet e punës apo kodet e familjes.

Pyetja tjetër e madhe është se çfarë monedhe do të përdorin këto dy vende. Është e qartë se në një farë pike, Kosova dhe Shqipëria do të anëtarësohen në eurozonë, por kjo gjë nuk pritet të ndodhë se paku në njëzet apo tridhjetë vitet e ardhshme dhe deri në atë kohë, në mënyrë që të funksionojnë si një ekonomi, të dy vendet do të duhet të kenë një monedhë të përbashkët ose monedha të ndryshme të lidhura me kurs fiks. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e problemeve që hasen kur përpiqesh të imagjinosh një shtet të përbashkët.

Secila prej pjesëve të bashkimit kërkon reforma në secilin prej vendeve, të cilat janë të dhimbshme dhe që refuzohen nga politika e ditës për shkak të kostos politike që mbartin. P.sh, Shqipëria do të duhet të kopjojë një sistem pensionesh të ngjashëm me atë të Kosovës, por kjo nënkupton njëkohësisht reformimin e sistemit aktual të pensioneve, reformë që refuzohet vazhdimisht nga qeveria për shkak të kostos politike që mbart.

Në rast se diskutohet bashkimi i borxheve sovrane, problemi që del është fakti që Shqipëria ka një borxh shumë më të madh sesa Kosova. Në rast se diskutohet bashkimi i sistemit të postës dhe telekomunikacioneve, problemi që del është që telekomunikacionet në Shqipëri janë tërësisht në duar private.

Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se nacionalistët që po përpiqen ta kthejnë bashkimin në platformë politike në të dyja anët e kufirit, janë të kufizuar tek idealet e shekullit të kaluar dhe janë shumë larg realitetit praktik.

Gazeta “Shqip”

Top Channel