Misteri në SHBA, 11 shkencëtarë që po eksperimentonin anti-gravitetin zhduken në tre vite

18/04/2026 10:00

Një seri vdekjesh dhe zhdukjesh të shkencëtarëve dhe zyrtarëve me akses në sekrete të ndjeshme bërthamore dhe hapësinore ka ngritur alarmin në Shtetet e Bashkuara, ku që nga viti 2023 janë regjistruar të paktën 10 incidente në rrethana të paqarta.

Rastet kanë shqetësuar autoritetet në Uashington dhe kanë nxitur spekulime, ndërsa shumë prej personave të zhdukur nuk kanë lënë asnjë gjurmë. Presidenti Donald Trump reagoi për herë të parë, duke e cilësuar situatën “shumë serioze” dhe duke paralajmëruar se brenda pak ditësh mund të ketë më shumë qartësi.

Presioni publik është rritur, ndërsa kritikat ndaj administratës janë shtuar për reagim të vonuar. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, tha se po shqyrtohet mundësia e një hetimi nga agjencitë e inteligjencës, nëse konfirmohet ndonjë lidhje mes rasteve.

Një shkencëtare që eksperimentonte me teknologjinë anti-gravitet u gjet e vdekur në moshën 34-vjeçare, pasi kishte paralajmëruar se jeta e saj mund të ishte në rrezik, duke u shënuar si një tjetër rast misterioz mes vdekjeve dhe zhdukjeve të viteve të fundit.

Amy Eskridge ishte vetëm 34 vjeçe kur dyshohet se vdiq nga një plagë me armë zjarri të shkaktuar vetë, në kokë, në Huntsville, Alabama, më 11 qershor 2022. Megjithatë, as policia dhe as mjekët ligjorë nuk kanë bërë publike ndonjë detaj.

Para vdekjes së saj, ajo po hulumtonte hapur dhe po përpiqej të zhvillonte teknologji anti-graviteti, një mënyrë për të kontrolluar ose neutralizuar gravitetin, e cila mund të revolucionarizonte udhëtimin në hapësirë dhe prodhimin e energjisë. Teoricienët e konspiracionit kanë pretenduar gjithashtu se ushtria amerikane ka eksperimentuar me këtë teknologji prej vitesh, por qeveria ka mohuar se ekziston teknologji aliene.

Në vitin 2020, Eskridge deklaroi se po planifikonte të paraqiste një projekt të ri mbi anti-gravitetin, por kishte nevojë për miratim nga NASA. Që prej ndarjes së saj nga jeta, detaje tronditëse, përfshirë një intervistë të rizbuluar me vetë Eskridge dhe gjetje të pavarura të paraqitura në Kongres, kanë pretenduar se vdekja nuk ishte vetëvrasje, por pjesë e një komploti të ndërlikuar “vrasjeje”.

Historia e Eskridge duket se vazhdon një trend në rritje të shkencëtarëve të vdekur që po hulumtonin fusha kyçe të teknologjisë ose eksplorimit hapësinor në kohën kur u vranë ose u gjetën të vdekur.

Që kur Eskridge vdiq në vitin 2022, pesë studiues të tjerë të njohur kanë vdekur, përfshirë dy që u vranë në shtëpitë e tyre.

Nuno Loureiro, 47 vjeç, u vra në shtëpinë e tij në periferi të Bostonit, Brookline, më 15 dhjetor 2025. Autoritetet thanë se autori i armatosur ishte Claudio Neves Valente, një ish-shok klase nga Portugalia. Megjithatë, një ish-zyrtar i FBI-së dhe hetues të pavarur kanë vënë në dukje se puna revolucionare e Loureiro në fushën e fuzionit bërthamor mund ta ketë bërë objektiv të një komploti më të madh kundër shkencëtarëve amerikanë.

Ngjashëm me punën e Eskridge mbi teknologjinë anti-gravitet si burim i mundshëm për prodhim energjie dhe udhëtime në distanca të gjata, kërkimet e Loureiro përqendroheshin te fizika e plazmës, studimi i gazeve super të nxehta të jonizuara dhe mënyra si të aplikohen në energjinë e fuzionit, një burim premtues i energjisë së pastër.

Një zbulim i madh në këtë fushë mund të trondiste industrinë trilionëshe të karburanteve duke ulur kërkesën për naftë, gaz dhe qymyr, sidomos për prodhimin e energjisë dhe transportin. Përdorues të mëdhenj si qendrat e të dhënave mund të kalonin gjithashtu te fuzioni për energji të qëndrueshme dhe të gjelbër.

Një tjetër shkencëtar u qëllua për vdekje në një sulm të paprovokuar në shtëpinë e tij në Kaliforni. Astrofizikani Carl Grillmair, 67 vjeç, u vra më 16 shkurt 2026, pasi u qëllua në verandën e shtëpisë rreth orës 6 të mëngjesit sipas kohës lokale. Shkencëtari kishte punuar në projektet NEOWISE dhe NEO Surveyor, teleskopët infra të kuq të NASA-s që gjurmojnë asteroidët, por përdorin të njëjtat parime fizike si sistemet ushtarake për gjurmimin e satelitëve dhe raketave. Departamenti i Sherifit të Qarkut Los Angeles identifikoi Freddy Snyder, 29 vjeç, si person me interes në çështjen e vrasjes së Grillmair dhe më pas e akuzoi për vrasje, grabitje makine dhe vjedhje.

Ndërkohë, shkencëtarët e NASA-s Michael David Hicks dhe Frank Maiwald, të cilët punonin në Jet Propulsion Laboratory në Kaliforni, vdiqën nga rrethana të panjohura në moshë relativisht të re. Maiwald, 61 vjeç, ishte studiuesi kryesor në një zbulim që mund të ndihmonte misionet e ardhshme hapësinore të zbulonin shenja të qarta jete në botë të tjera, vetëm 13 muaj para se të vdiste në vitin 2024. Hicks, i cili vdiq në vitin 2023 vetëm një vit pasi ishte larguar nga JPL në moshën 59-vjeçare, kishte qenë i përfshirë në Projektin DART, testi i NASA-s për të parë nëse njerëzit mund të devijojnë asteroidë të rrezikshëm larg Tokës.

Në një tjetër incident misterioz, Jason Thomas, studiues farmaceutik që testonte trajtime kundër kancerit te Novartis, u gjet i vdekur në një liqen në Massachusetts më 17 mars 2026, pasi ishte zhdukur pa gjurmë tre muaj më herët. Policia lokale ka deklaruar se nuk dyshohet për veprim kriminal.
Sa për personat që janë zhdukur dhe ende nuk janë gjetur, katër raste janë lidhur me gjeneralin e zhdukur të Forcave Ajrore William Neil McCasland, i cili pretendohet se kishte njohuri mbi sekretet bërthamore dhe ato që lidhen me UFO-t.

Rrethanat e çuditshme rreth zhdukjes së gjeneralit më 27 shkurt në New Mexico ishin pothuajse identike me katër rastet e personave të zhdukur që ndodhën midis majit dhe gushtit 2025 në jugperëndim të SHBA-së.

Punonjësit e kërkimit bërthamor Steven Garcia, Anthony Chavez dhe Melissa Casias, si edhe shkencëtarja e NASA-s Monica Reza, janë lidhur të gjithë me McCasland përmes rolit të tij në mbikëqyrjen e Air Force Research Lab (AFRL).

Reza, 60 vjeçe, u zhduk gjatë një ecjeje me miq në Kaliforni më 22 qershor 2025. Ajo sapo ishte bërë drejtoreshë e Grupit të Përpunimit të Materialeve në Jet Propulsion Laboratory të NASA-s.

Tre zhdukjet e tjera përfshinin punonjës në disa nga objektet më të rëndësishme bërthamore të Amerikës dhe të tre u panë për herë të fundit duke dalë nga shtëpitë e tyre pa telefona apo çelësa, njësoj si McCasland.

Një burim anonim i tha Daily Mail se McCasland kishte mbikëqyrur gjithashtu kërkime në bazën ajrore Kirtland në New Mexico gjatë karrierës së tij, e cila bashkëpunon ngushtë me laboratorët bërthamorë të vendit në projekte të sigurisë kombëtare.

Top Channel