Momenti i ndarjes live në “Big Brother”, Olsi flet pas 18 vitesh për “Goca dhe Gra”: Ndiej ende siklet kur e shoh videon

18/04/2026 13:50

Ende qarkullojnë në internet videot e “Big Brother” të para gati dy dekadash të Olsi Mingomatajt, i cili u dashurua në “Big Brother” me Noçen, pavarësisht se jashtë shtëpisë ishte i lidhur me një tjetër vajzë.

Olsi ishte dje i ftuar në emisionin “Goca dhe Gra” në “Top Channel” dhe u përball edhe një herë me pamjet kur e dashura e ndau live në emision. Edhe pse pas shumë vitesh, ai sërish e përjeton në mënyrë të sikletshme.

“E pyesja nëse ishte e sigurt, sepse mendoja se e kishin shtyrë. Unë mendoja se nuk kishte mbaruar për të. Mund të priste dhe kur të dilja të më thonte. Por kur e shoh këtë video, sërish ndihem në siklet, normalisht”, tha Olsi mes të tjerash.

Në emisionin e mbremshëm ishte e ftuar edhe Noçja, e cila është e ndarë me Olsin prej shumë vitesh.

Ajo ka treguar periudhën pas përfundimit të programit televiziv, në të cilin pati një histori dashurie me Olsi Mingomataj, për të cilën u përfol shumë. Noçja ka treguar se njerëzit e pyesnin se ku ishte Olsi, kur e shihnin vetëm në rrugë.

“Ka qenë ndryshe në Big Brother-in e parë, ne ishin shumë naivë. Ishim shumë të papërgatitur, por për atë bujën e madhe që bëri, të gjithë njerëzit na ndalonin. Nëse do të më shihnin vetëm do të pyesnin për personin tjetër, se ku është.

Mua më pyesnin për Olsin, ndërsa Olsin e pyesnin: Ku e ke Noçen. Unë jam shumë tip që më pëlqen të tërheq vëmendjen. Muajt e parë ishte ashtu, më pas doja privatësinë time“, tha ajo.

Top Channel