Në përfundim të misionit të tij si ambassador i një shteti mik të Kosovës, Christopher Dell është nderuar nga presidentja Atifete Jahjaga me Urdhërin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Ibrahim Rugova”.
Në këtë ceremoni solemne të mbajtur në Presidencë morën pjesë zyrtarë të ambasadës amerikane në Kosovë, por edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu, zëvëndëskryeministra dhe ministra të kabinetit qeveritar.
“Kjo është një shenjë simbolike për të shprehur falenderimin tonë për mbështetjen e vazhdueshme që na keni ofruar, jo vetëm gjatë misionit tuaj të parë, por edhe në misionin e dytë. Ky akt i sotëm bazohet edhe në disa nga virtytet tuaja si njeri, që janë paqja, demokracia dhe humaniteti juaj që reflektojnë vlerat e SHBA-ve. Ju keni përfaqësuar SHBA-të në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ne e vlerësojmë shumë lart miqsinë tonë në të gjitha periudhat e shtetndërtimit”, deklaroi Jahjaga gjatë ceremonisë.
“Është nder shumë i madh që të marr çmimin “Ibrahim Rugova”, që gjithmonë do të më sjellë shumë kujtime nga ju dhe kohës time këtu. Edhe nata e mbrëmshme e ka dëshmuar se është privilegj i jashtëzakonshëm të jesh diplomat në Kosovë. Nuk ka vend tjetër ku SHBA është pranuar kaq ngrohtë dhe hapur nga njerëzit dhe për mua personalisht dhe familjen time ju them se ndjejmë dashuri për njerëzit këtu dhe do të vijmë me mundësitë personale që t’ju vizitojmë”, tha nga ana tjetër ambasadori Dell.
“Natën e mbrëmshme” që përmendi Dell i referohet një darke lamutumire që kryeministri Hashim Thaçi shtroi për ambasadorin, që gjatë këtyre viteve ka qënë një ndër kontribuesit më të mëdhenj në çështjet e brendshme të Kosovës. Kjo darkë, siç raporton shtypi i ditës në Prishtinë, është karakterizuar nga shkëmbime batutash me sfond politik mes Dell dhe Thaçit.
“Unë dëshiroj që ju Chris të vini sërish në Prishtinë, si ambasador i SHBA në Kosovë për herë të tretë”, tha Thaçi, i cili shtoi se: “Nëse nuk kthehesh sërish, atëherë unë, me të gjitha fuqitë e mija kushtetuese, do të mundohem t’ju emëroj ambasador të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara”, tha Thaçi, duke nxitur të qeshura në sallë, siç njofton gazeta “Exspress”.
“Kur erdhe këtu kishe më shumë flokë, por tani kur po të shoh, po e vë re se t’i kam rralluar pak”, tha më tej kryeministri duke vijuar: “Them të drejtën, kur erdhe këtu edhe unë kisha më pak thinja”.
Me të njëjtën dozë humori vazhdoi edhe ambasadori Dell. “Hashim, kam frikë se Kosova do të bëhet shteti i 51-të i SHBA dhe nuk do të keni mundësi të më emëroni ambasador të Kosovës në Uashington”, tha Dell gjatë kësaj darke, që duket se do ta mbajë në mend për shumë kohë.
Top Channel