Stallone në orët më të këqija

23/07/2012 19:50

Një Sylvester Stallone i dëshpëruar, përjetoi disa prej orëve më të vështira të jetës së tij, ndërsa shoqëroi në banesën e fundit të birin 36-vjeçar.

Sage Stallone ndërroi jetë një javë më parë, në banesën e tij, në rrethana të paqartësuara. Megjithatë, besohet se ishte mbidoza e ilaçeve ajo që rezultoi fatale për të riun.

Aktori 66-vjeçar, u duk disa herë shumë pranë lotëve, ndërsa priti ngushëllimet e të afërmve dhe miqve në një kishë katolike në Los Anxhelos.

Ish-gruaja e Sylvestër dhe nëna e Sage, Sasha Czack, gruaja aktuale
Jennifer Flavin, vëllai i Sages, Frank dhe miku i ngushtë i aktorit,
Marty Singer, ishin ata që i qëndruan përkrah në momentin më të
dhimbshëm, kur 36-vjeçari u mbulua nga dheu.

Veçanërisht prekës ishte një moment në të cilin disa fansa mbajtën
gjatë funeralit disa fotografi të momenteve të tij më të mira.

Më parë gjatë javës, Stallone publikoi një deklaratë, në të cilën shkruante me sinqeritet se “nuk mund të ketë dhembje më të madhe në jetë se ajo e humbjes së një fëmije. Kjo humbje do të na lërë në agoni deri në fundin e jetës sonë”.

Top Channel