Turizmi shihet si një nga sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare me potenciale të mëdha dhe në kuadër të kësaj qeveria ka investuar në këtë sektor, kryesisht në infrastrukturën që lidh pikat turistike në vend.
Por ku jemi me turizmin? Cila është problematika e këtij sektori dhe a po shfrytëzohet si duhet potenciali turistik vendit tonë në mënyrë që të konkurojmë si duhet me vendet e tjera, jo vetëm në rajon? Këtyre dhe pyetjeve të tjera u munduan t’u japin përgjigje në emisionin Shqip me gazetaren Rudina Xhunga në Top Channel një panel specialistësh dhe analisti Mustafa Nano.
Analisti Nano theksoi se turizmi në vendin tonë përfiton kryesisht nga turizmi patriotik. I të njëjtit mendim ishte edhe specialisti i fushës, Kliton Gërxhani i cili tha se janë rreth 3-4 milion shqiptarë që zgjedhin të shpenzojnë në Shqipëri për kulturën e njëjtë që kemi, për kulturën dhe zakonet e njëjta.
Sa i përket problematikës së turizmit shqiptar, të ftuarit ranë në një mendje se përvecse ndërtimeve që kanë zaptuar bregdetin, problem është edhe mungesa e plazheve publike dhe sidomos ajo e guidave turistike. Nga shoqëria civile, Dalina Fico tha se ka një mungesë të theksuar informacioni për turistët dhe vizitorët. Është e nevojshme tha ajo, që në destinacionet kryesore turistike të ketë guida udhëzuese se cfarë mund të vizitohet atë zonë.
Tjetër problem mbeten edhe zhurmat në bregdet që janë kthyer në makth për pushuesit. Baret dhe lokalet e natës operojnë në të shumtën e rasteve deri në orët e para të mëngjesit me muzikë të lartë dhe shqetësuese për pushuesit. Kjo, tha analisti Nano, zgjidhet nga pushteti lokal fare mirë me miratimin dhe zbatimin e një urdhëri për ndalimin e zhurmave.
Ndërsa për specialistin e turizmit, Kliton Gërxhani biznesi i hotelerisë në një masë të madhe funksionon në mënyrë informale për shkak të taksës 20 përqind. Në Maqedoni, Kroaci dhe Mal të Zi, kjo taksë, tha ai, është shumë herë më e ulët se në Shqipëri.
Top Channel