Letterman: Dhe në fund, Batman vdes!

16/07/2012 00:00

Zbulohet fundi i Batman, një prej personazheve më të famshëm në botën kinematografike.

Protagonist për zbulimin e misterit është komiku popullor David Letterman. Ky i fundit kishte të ftuar në emisionin e tij televiziv, Anne Hathaway, e cila interpreton Catwoman, në filmin e fundit të serialit Batman ‘The Dark Knight Rises’, që pritet të dalë në kinematë amerikane javën e ardhshme.

Komiku tekstualisht në emisionin e tij tha: “E kam parë këtë film…këtë filmin me Batman…në fund Batman-i vdes”. Më pas David u përpoq të tërhiqte atë që tha me fjalët drejtuar publikut: “Batman nuk vdes…qetësohuni!”.

Ndërsa Hathaway iu drejtua kameras për t’i çuar një mesazh regjisorit Christopher Nolan: “Chris, unë nuk kam gisht në këtë që ndodhi, më vjen keq”. Ndërkohë janë ngritur dyshime, nëse kjo që ndodhi ishte gafë, apo bëhet fjalë për një mënyrë të rafinuari të tërheqjes së vëmendjes së publikut…këtë do ta shohim!

Top Channel