Lamtumirë Lord, legjendari i “Deep Purple”

16/07/2012 20:35

Jon Lord, ish-tastieristi i grupit rock “Deep Purple”, ndërroi jetë ditën e hënë në moshën 71-vjeçare.

Lord, i cili ishte bashkëautor në shumë këngë legjendare të grupit, përfshi “Smoke on the Water”, u diagnostikua në gusht 2011 me një formë të avancuar tumori në pankreas.

Gjithashtu bashkëthemelues i “Deep Purple” në vitin 1968, Lord luajti edhe me grupe si “Whitesnake” gjatë karrierës së tij.

“Jon largohet nga errësira në dritë”, shkruhej në një komunikatë të familjes së tij, e cila i qëndroi mbi kokë në orët e agonisë, në një spital në Londër.

I formuar si një pianist klasik, Lord u ndikua gjithashtu nga bluzi dhe xhazi gjatë karrierës së tij, duke revolucionarizuar kështu rrymën e rokut, në të njëjtën kohë që u shndërrua në një pioneer të “heavy rock”.

Gjithashtu një autor tekstesh, Jon luajti një rol thelbësor në dy albumet që përjetësuan “Deep Purple” në vitet 1970, “Deep Purple in Rock” dhe “Machine Head”.

Grupi më pas u nda në vitin 1976, por u ribashkua në 1984, me Lord që ishte anëtari më stabël i grupit, deri në largimin e tij përfundimtar në vitin 2002.

Në vitet e arta, “Deep Purple” përbëhej nga një katërshe e famshme, që përveç Lord përfshinte këngëtarin Ian Gillan, bateristin Ian Paice, basistin Roger Glover dhe kitaristin Ritchie Blackmore.

I lindur në 9 qershor 1941 në Leiçester, Angli, Jon Lord nisi të luante piano që në moshë të hershme, ndërsa studioi në moshë të rritur për dramaturgji, ndonëse nuk e ushtroi kurrë këtë profesion.

Top Channel