Debati për rrugën e Elbasanit

16/07/2012 19:55

Zgjerimi i rrugës Tiranë-Elbasan prej disa javësh ka qenë në qendër të debateve publike mes shoqërisë civile dhe pushtetit qëndror e lokal.

Kreu i qeverisë, në mbledhjen e grupit tha se pas zgjerimit të rrugës Tiranë-Elbasan çdo gur që do të hiqet nga rrethimi i Pallatit të Brigadave do të rikthehet në vend.

“Ndaj dhe ministria përkatëse dhe Drejtoria e Rrugëve do mund të bëjnë rrugën pasi të garantojnë se çdo gur do të kthehet po në atë vend. Pasi të garantojnë se harqet do rikthehen identik siç janë. Rikthimi orgjinal një për një. I bëj thirrje shoqërisë civile që të krijojë një komision për ta monitoruar punën gur për gur. Ministria të vendosë kontaktet me ta. Rruga do të bëhet”, deklaroi Berisha.

Por pas kësaj deklarate kanë reaguar përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët kanë theksuar edhe një herë se përse duhet të ndërtohet një rrugë me 6 korsi në këtë zonë, ku rrethimi dhe gjelbërimi përreth Pallatit të Brigadave kanë vlera të mëdha për trashëgiminë tonë kulturore, e cila është shumë e varfër.

“Kryeministri po bën një herezi, i këshilluar ndoshta nga këshilltarët ekstrainstitucionalë, për të spostuar monumentet e kulturës. Kjo është si të spostosh një lagje të Tiranës dhe ta vësh diku tjetër vetëm për të ndërtuar në rrugë. Të prekësh parkun mjedisor në Tiranë është më e rëndë se të prekësh parkun e Versajës në Francë”, ka deklaruar Artan Shkreli.

Shkreli ka ritheksuar se kjo është një rrugë që po ndërtohet pa leje dhe me një gjobë që Ministria e Mjedisit ia ka vënë Drejtorisë së Rrugëve.

“Ka një gjobë nga Ministria e Mjedisit që i është vënë Drejtorisë së Rrugëve, por që duhet t’i vihet bashkisë së Tiranës pasi ka dhënë mundësinë për ndërtime pa dhënë lejen e posaçme. Kemi të bëjmë me një papërgjegjshmëri të madhe që s’mund të tolerohet”, ka nënvizuar Shkreli.

Shoqëria civile ka vënë në dukje masakrën që po kryhet në këtë zonë, e cila është e mbrotjur me ligjin e trashëgimisë kulturore dhe e cila po kryhet pa transparencë.

Top Channel