Një aparat i dyshimte celulari eshte diktuar ne afersi te Rreth
Rrotullimit të Shkozetit pranë një pike karburanti. Si rezultat, për të
shmangur çdo lloj rreziku zona është evakuuar nga shërbimet e policisë.

Telefoni me lëndë shpërthyese dyshohet se ka rënë ose është lënë aty nga ndonjë prej automjeteve që është ndalur për t’u furnizuar me karburant, ndërsa hetimet nuk përjashtojnë dhe pistën e ndonjë konflikti të mundshëm të pronarit të pikës ku u gjet mekanizmi plasës.

Përdorimi i lëndëve plasëse plastike përmes aktivizimit të tyre nëpërmjet valëve të celularit konsiderohet një nga mënyrat më të sakta dhe më pak të rrezikuara për autorin në kryerjen e një krimi të rëndë kundër pronës a jetëve njerëzore.

Për fat të mirë telefoni së bashku me 3 pako lëndë plasëse që dyshohet të jetë C4 të mbërthyera pas tij që u gjet tek pika e karburantit nuk arriti të vihet në përdorim.

Në funksion të situatës u angazhuan shumë shërbime policore, si dhe shërbime të strukturës Kundër Akteve Terroriste, Krimeve të Rënda, si dhe ato zjarrfikëse të cilat mundësuan evakuimin e të gjithë zonës përreth si dhe bllokimin e qarkullimit të automjeteve për afro dy orë në aksin rrugor Mbikalimi i Serave-Rrethrrotullimi i Shkozetit.

Specialistët e Njësisë Antieksploziv nga Tirana bënë të mundur caktivizimin e mekanizmit dhe rikthimin e lëvizjeve në zonë.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës dhe grupi hetimor i ngritur për ngjarjen bëjnë të ditur se aktualisht disa nga strukturat e ndryshme të hetimit të krimit po bashkëpunojnë në drejtim të grumbullimit të elementëve të vlefshëm për hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarje.

Ndërkohë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit u kryen edhe veprimet e para në vendin e ngjarjes.

Top Channel