Deputetët, debate për Ristanin

09/07/2012 00:00

Mungesa në raportimin para Komisionit të Ligjeve, e kryetarit të
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, rezultoi në një seancë
të shkurtër, por me debat mes deputetëve e mazhorancës dhe opozitës.

Sipas Partise Socialiste prania e sekretares së Përgjithshme të KQZ-së nuk ishte e mjaftueshme dhe jo serioze.

Por kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali tha se duke qene se ky nuk ishte nje raport per zhvillimin e zgjedhjeve, por per punen administrative te KQZ-se, u mor nje vendim konsensual i kryesise se Komisionit te Ligjeve, ku perfshihet edhe nenkryetari socialist Fatmir Xhafaj, i cili mungoi gjate raportimit te KQZ-se ne Komisionin e Ligjeve.
 
“Unë sapo kontaktova me nënkryetarin e Komisionit të Ligjeve, nuk ma konfirmon të njëjtën gjë, në lidhje me audiencën e sotme. Eshtë shqetësuese dhe e pafalshme që një institucion kaq i rëndësishëm, të mos përfaqësohet këtu nga kryetari”, tha deputeti socialist Damian Gjiknuri.

“Nëse keni ndonjë shqetësim me vendimet që merr Kryesia e Komisionit, hap rregulloren, lexo procedurat, ndiq rrugën ligjore dhe ankohu, por këtu të devijojmë debatin, nga lënda që kemi tek marrëdhëniet tuaja me Fatmir Xhafën, nuk e bëj dot”, u shpreh kryetari i Komisionit Rusmali.

Komisioni i Ligjeve do te hartoje nje draftrezolute per punen njevjeçare të KQZ-së, per t’ia paraqitur me pas per miratim parlamentit.Por, pas mbledhjes, anetari socialist Damian Gjiknuri, e cilesoi te sabotuar mbledhjen e Komisionit te Ligjeve.

“Dua të denoncoj veprimet e këtij Komisioni, kryetarit të tij, i cili në mënyrë krejt të papranueshme e sabotoi këtë seancë, duke mos nxjerrë përpara përgjegjësise të Kuvendit dhe të publikut të gjitha ato veprime që ka kryer KQZ-ja dhe aq shumë të kritikuara nga ndërkombëtarët. Më vjen keq që po të njëjtët njerëz që e kanë frymëzuar ‘Ristanokracinë’ vazhdojnë akoma të kërkojnë ta mbrojnë atë”, tha Gjiknuri.

Top Channel