Përplasje në bazë për Fressh

07/07/2012 00:00

Përplasja në strukturat e larta drejtuese të Forumit Rinor Eurosocialist ka zbritur edhe në bazë. Tensione dhe debate të ashpra janë shkëmbyer gjatë një mbledhjeje të Asamblesë së PS-së të rrethit Kavajë.

Shkarkimi i kryetarit lokal Elton Derjaj ka sjellë tensione dhe qëndrime të ndryshme në degën e socialistëve të këtij qyteti. Në mbledhje morën pjesë drejtuesit lokalë të partisë, kryetari i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi dhe deputeti Dashamir Peza.

Mbledhja ka nisur me debate mes socialistëve, të cilat sollën braktisjen e mbledhjes nga ana e kryetares së Fressh, Elisa Spiropali dhe disa prej të zgjedhurve të tjerë të forumit.

Ata kundërshtuan shkarkimin e kryetarit lokal të forumit. Pas dy orësh, mbledhja e mbajtur në ambjentet e një hoteli përfundoi pa arritur një vendim për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve.

Kjo është bërë e ditur jashtë kamerave nga ana e deputetit Dashamir Peza, menjëherë pas mbylljes së takimit. Tensionet e para në Fressh nisën gjatë mbledhjes për konstituimin e asamblesë pas kongresit.

Në bazë të tyre kanë qenë qëndrimet e ndryshme të kryetares së Fressh, Elisa Spiropali dhe sekretarit për rininë, Erjon Veliaj për disa nga anëtarët e Asamblesë.

Ky konflikt çoi në braktisjen e mbledhjes së Asamblesë nga kryetarja dhe një grup të zgjedhurish lokalë të Fressh. Tensionet u rindezën ditët e fundit pas shkarkimit të dy koordinatoreve lokalë në Kavajë dhe Korçë.

Top Channel