Ambasadori danez në Shqipëri ka shtuar dozën e qëndrimeve kritike ndaj qeverisë shqiptare. Në një interviste dhënë së përjavshmes shqiptare “Java” pak kohë përpara largimit, Karsten Jensen deklaroi se:

“Nëse ne, për t’u dukur të sjellshëm, përdorim në publik një gjuhë ku gjembaçët quhen trëndafila, dështimet etiketohen suksese të pjesshme dhe mashtruesit, rastësisht mbështeten si liderë, atëherë si mund të presim që populli shqiptar ta kuptojë se çfarë duhet bërë ose jo, që vendi t’i bashkohet Evropës?”.

I pyetur për proçesin e zgjedhjes së presidentit, Jansen shprehet se zgjedhja është kushtetuese por jo demokratike. Por sipas tij, çdo gjë varet në duart e presidentit të zgjedhur Bujar Nishani, nëse ishte i duhuri apo jo. Në përgjigjen e tij thuhet:

“E parë nga ana formale, të dyja, edhe procesi dhe rezultati ishin brenda kufijve ligjore të vendosur nga kushtetuta shqiptare, por qartësisht nuk ishin brenda frymës së asaj që ishte shkruar në letër. Rezultati tregoi gjithashtu të meta të kushtetutës aktuale, përsa i përket mbrojtjes së ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së institucioneve. Pra, duke folur nga një pikëpamje proçeduriale, zgjedhja e Presidentit ishte një hap mbrapa për democracinë shqiptare”.

Përsa i përket së ardhmes së Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian, Jansen tregohet dyshues dhe me rezerva për marrjen e statusit. Ai shprehet se:

“Shqipëria, asnjëherë nuk ka patur kaq shumë mundësi për të përparuar drejt Evropës, sa gjatë këtyre katër viteve të fundit. Përveç anëtarësimit në NATO dhe liberalizimit të vizave, më të shumtat i janë refuzuar. Përsëri, jo vetëm me fjalë, sepse gjërat e duhura janë thënë, por me ato çka vlejnë: me veprime e vepra. Është ekskluzivisht e drejtë e Komisionit Evropian, nëse do ta rekomandojë statusin e kandidatit. Por, kompetencën e dhënies së tij e kanë vetëm shtetet anëtare. Secili nga 27 shtetet anëtare të BE-së duhet të votojë pro. Shumë sinqerisht, duke parë mungesën e të dhënave për përparim të prekshëm në politikë, në shtetin e së drejtës, në luftën kundër korrupsionit, ndërtimin e kapaciteteve institucionale etj., shoh se ka pak të ngjarë konsensusi mes vendeve anëtare, edhe sikur Komisioni ta rekomandojë statusin e kandidatit”.

Shigjetat e të gjitha rezervave për Shqipërinë dhe qeverinë e saj, Jensen i adreson tek lufta ndaj korrupsionit:

“Me keqardhje them se korrupsioni është përkeqësuar vit pas viti. Kjo nuk është vetëm një përshtypje, por është një fakt. “Transparency International” dhe të tjerë e kanë dokumentuar prirjen në raportet e tyre vjetore. Është një kancer që ka filluar të përhapet në të gjitha nivelet e shoqërisë. Dëgjova së fundi një shembull të dhimbshëm, kur dikush ishte detyruar të korruptonte një punonjës bashkie për një varr të një familjari të vdekur. Deri këtu ka arritur”.

Për të gjitha këto fenomene ambasadori danez shprehet i shqetësuar për mungesën e reagimit qytetar.

“Jam habitur nga ngurrimi i popullit shqiptar për t’u ngritur për të drejtat dhe interesat e tij. Nuk mendoj se ndonjë popull tjetër evropian do të kishte reaguar ndaj ngjarjeve të 21 Janarit, ashtu siç reaguan shqiptarët. Nuk mendoj se shumica e evropianëve do të pranonin nivelet e korrupsionit dhe padrejtësinë që ju shikoni në Shqipëri, pa reaguar. Nuk besoj se ndonjë popull tjetër evropian do të pranonte në heshtje që mjedisi i tij të shkatërrohej për shkak të përfitimit dhe lakmisë personale. Por më e habitshme është se elektorati shqiptar, herë pas here, vazhdon të zgjedhë të njëjtët njerëz, të cilët nuk e gëzojnë aspak respektin e tij. Kjo është e vështirë për t’u kuptuar nga unë dhe mendoj edhe nga çdokush tjetër që e ka demokracinë të ushqyer me qumështin e nënës”, shton Jensen.

Top Channel