Kreshnik Spahiu kreu i Aleancës Kuq e Zi ka paralajmëruar sjelljen në
skenën politike shqiptare të një koalicioni të gjerë,  kur u pyet nga
Top Channel, se në ç’fazë jane perpjekjet e AK për të krijuar një pol të
tretë me ato forca politike, me qasje të ngjashme si ato të forcës
politike të zotit Spahiu.

“Aleanca Kuqezi është në negociata dhe në prag të një aleance të madhe dhe një fronti me të gjitha lëvizjet patriotike dhe me tendencë nacionaliste, proshqiptare, demokratike, lëvizje të cilat ndjehen të rrezikuara nga koalicioni PD-PS. Ne do të shpallim këto ditë megjithë faktorët politikë dhe jopolitikë një front shumë te gjerë për të ndalur këtë masakër parlamentare që mund të zhvillohet së shpejti në Shqipëri”, tha Spahiu.

Kreu i AK-se ka denoncuar atë që ai e quajti një aleancë të fshehtë mes PD dhe PS në kurriz të mospasjes së një pluralizmi të vërtetë.

“10 muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare ekziston një koalicion i fshehtë mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të asgjësuar pluralizmin politik dhe demokracinë në vend. Tashmë vendi është futur në një krizë politike, ekonomike, institucionale dhe në një krizë besimi të publikut tek klasa politike shqiptare”, tha Spahiu.

Në emër të AK-se zoti Spahiu kërkoi nga kryeministri Berisha të lejojë një garë të barabartë elektorale duke miratuar sistemin proporcional me korrektim kombëtar, përfshi të drejtën e votës së emigrantëve në zgjedhjet e parlamentare të 2013-ës. Spahiu paralajmeroi nje proteste javen e ardhshme perpara Parlamentit.

Top Channel