Kushtet e integrimit, Bregu raporton

04/07/2012 00:00

Qeveria shqiptare është vënë përballë përfaqësuesve të Komisionit
Europian për të raportuar progresin e arritur 3 muajt e fundit në
realizimin e prioriteteve 6 deri 12.  

Realizimi prioriteteve që lidhen me të drejtat e njeriut, trajtimi i të ndaluarve në ambietet policore, reforma në admistratën publike, forcimi shtetit ligjor, strategjia antikorrupsion,lufta kundra krimit të organizuar dhe e drejta e pronës, kanë kaluar në filtrinin europian.

Vasilis Maragos, shef i njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian ka dëgjuar raportimet e hollësishme nga drejtues të dikastereve, të cilat duhet të implementojnë këto prioritete.

Majlinda Bregu, ministre e Integrimit ka parashtruar punën e deritanishme në realizimin e këtyre prioriteteve të listuara në planin e veprimit që ka qeveria shqiptare.

Zonja Bregu në fjalën e saj i ka kushtuar një vëmendje të vecantë debatit që lidhet me heqjen e imuniteteve zyrtarëve të lartë.

“Më takon të them në cilësinë e ministrit të Integrimit, që ka koordinuar procesin e Planit të Veprimit, që ushtrimi i planit të veprimit nuk është një ushtrim i dështuar dhe as një ushtrim i pasuksesshëm. Më takon të ripërsëris ftesën publike që PD dhe kjo maxhorancë i ka bërë PS, që të dorëzojmë së bashku në byronë parlamentare kërkesën për të përfshirë në kalendarin e punimeve të parlamentit përpara mbylljes së këtij sesioni, çështjen e heqjes së imunitetit të zyrtareve të lartë. E ripërsëris edhe njëherë, që nuk ka asnjë pengesë, e cila do t’i vononte ose do të na vononte ne që jemi në parlament, për të trajtuar çështjen e heqjes së imunitetit dhe që kjo maxhorancë është e gatshme për të votuar cilindo version që opozita e sheh si të arsyeshëm dhe më të pëlqyeshëm, qoftë edhe me ndryshime ligjore apo kushtetuese”, tha Bregu.

Ndërsa kreu delegacionit të BE-s në Tiranë Ettore Sequi kërkoi që mos të lihen jashtë vëmendjes prioritete 6 deri 12, të cilat siç theksoi ai, lidhen drejtpërsëdrejti me qytetarët.

“Një rekomandim pozitiv është ende i mundur për Shqipërinë. Koha është e shkurtër, por vullneti nga të gjitha palët është esencial që Shqipëria të ecë përpara drejt BE-së. Ju mund ta kryeni këtë. Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim, por vendimet merren vetëm nga Shqipëria. Komisioneri Fyle inkurajoi gjithë forcat politike që të prodhojnë rezultate përpara raport-progresit të BE-së në vjeshtë. Duhet të lëvizni!”, tha Sequi.

Në mënyrë konstante zyrtarët e Komisionit Europian kanë kërkuar jo vetëm hartimin e ligjeve apo politikave shtetërore që lidhen me plotësimin e 12 prioriteve por në mënyrë të vecantë zbatimin e tyre.

Top Channel