Grupi Ndërkombëtar Drejtues në takimin e mbajtur në Vjenë ka vendosur që
t’i japë fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë
grup bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e BE-së që e
kanë njohur Kosovën si dhe Turqia. Nga Kosova, në takim ka marrë pjesë
kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ministri i Jashtëm i Austrisë Mihael Shpindeleger ka thënë se kjo paraqet një ditë historike për Kosovën.

Nga dita e sotme, Kosovës po i hiqet mbikëqyrja ndërkombëtare, kurse mandati i ICO-së (Zyrës Civile Ndërkombëtare) pushon në shtator, ka thënë ministri austriak, bën të ditur Europa e Lirë.

Ai ka shprehur kënaqësinë e tij se Vjena është vendi ku u hartua dhe aprovua Plani i Ahtisarit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe po në këtë qytet tash po vendoset fundi i mbikëqyrjes së kësaj pavarësie.

“Ne e dimë se Kosova do të ballafaqohet me shumë sfida dhe do të duhet të kryejë shumë detyra të shtëpisë, por e dimë po ashtu se ka bërë një punë të mrekullueshme këto vitet e fundit”, tha ministri austriak, duke shpresuar se Kosova një ditë do të jetë pjesë e strukturave të integruara të Evropës.

Nga ana tjetër, shefi i ICO-së, Piter Feith ka deklaruar se Kosova ka bërë shumë përparime këto vitet e fundit.

“Zgjidhja politike për veriun do të bazohet në tri parime: Nuk ka dhunë, nuk ka ndarje, pra veriu do të mbetet i Kosovës dhe parimi i tretë se veriu nuk do të mbetet konflikt i ngrirë”, ka thënë Feith.

Në anën tjetër kryeministri Hashim Thaçi tha se kjo paraqet një ditë historike për Kosovën për të cilën ai tha se meritat i ndajnë së bashku institucionet e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar.

Edhe kryeministri i Kosovës u shpreh i vetëdijshëm se sfidat që mbeten, kryesisht kanë të bëjnë me veriun e Kosovës, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe reformat demokratike, për të cilat ai është zotuar se Kosova po punon në avancimin e tyre.

“Unë jam i vetëdijshëm se ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Ne duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik. Për më tepër, unë dua të ritheksoj zotimin tonë për ta rritur përfshirjen tonë në raport me të gjitha komunitetet në Kosovë, e në mënyrë të veçantë me serbët që jetojnë në veri të vendit, të cilët e meritojnë t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që janë të përcaktuara me Planin e Ahtisarit dhe me ligjet e Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Edhe pas vendimit për t’i dhënë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare, Bashkimi Evropian do ta vazhdojë praninë e vet në Kosovë, përmes misionit për polici dhe sundim të ligjit – EULEX, përderisa do të vazhdon edhe prania e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, që udhëhiqet nga NATO-ja.

Top Channel