Shqipëri-Kosovë, patrulla të përbashkëta

01/07/2012 20:31

Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të patrullojnë së bashku në territorin e Shqipërisë, gjatë sezonit turistik.
 

Ripërtërirja e marrëveshjes është bërë të dielën në pikën kufitare në Vërmicë, dhe vlen deri më 30 gusht të këtij viti.
 
Nga Vërmica është nisur të dielën grupi i parë i policëve të Kosovës të cilët do të patrullojnë, për të vazhduar me grupet tjera.
 
Përfaqësues të policive të të dyja vendeve, këto praktika edhe në të kaluarën kanë treguar rezultate të mira për ofrimin e sigurisë së qytetarëve dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

“Mendoj që praktika e dy viteve të më hershme ka treguar rezultate të mira në ofrimin e sigurisë së qytetarëve dhe mund t’iu them se të gjitha parametrat në periudhën e dy viteve të më hershme tregojnë që ka pas rënie të fatkeqësive të qarkullimit rrugor”, u shpreh Sherem Ahmeti, Drejtor i Divizionit të Komunikacionit, Policia e Kosovës.
 
“Patrullimi i dy policive do të jetë në gjithë territorin e vendit, por kryesisht do të jetë në zonat ku fluksi më i madh i qytetarëve të Kosovës vizitojnë shtetin shqiptar në sezonin veror”, tha Vullnet Topalli, Drejtor i Policisë Rrugore të Shqipërisë.

Sipas tij, i gjithë efektivi i policisë shqiptare dhe të Kosovës do të kenë synim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe parandalimin e çdo lloj kundërvajtje administrative në fushën e qarkullimit rrugorë.
 
Ky është viti i tretë që dy policitë shqiptare aplikojnë marrëveshje për patrullime të përbashkëta në territorin e Shqipërisë gjatë sezonit turistik.
 

Top Channel