Lotaria Kombëtare, reagon Konfindustria

01/07/2012 19:40

Ndërprerjen e procedurave dhe marrjen drejtpërdrejtë nën administrimin e qeverisë të Llotarisë Kombëtare  kërkoi sot Konfindustria nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Organizata e njohur e biznesit thotë se “të gjithë shembujt që vijnë nga vendet më të zhvilluara të botës, tregojnë se në rastin e aktiviteteve të ngjashme, institucionet publike kryejnë administrimin e tyre.

Konfindustria shprehte se “Lotaria Kombëtare për vetë natyrën dhe qëllimin e saj, nuk duhet lejuar të kthehet në një biznes të mirëfilltë, por duhet përdorur si një mjet për të zbutur sadopak nevojat e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare të prekur ndjeshëm nga kriza ekonomike. Pikërisht administrimi i drejtpërdrejt nga ana e shtetit i Lotarisë Kombëtare është mënyra e vetme për të arritur qëllimin e mësipërm dhe per moskthimin e saj në një biznes të mirëfilltë”.

Konfindustria thotë se “është e papranueshme, që të ardhurat e siguruara nga biznesi i lojrave të fatit në emër të shtetit sikurse Lotaria Kombëtare, që nuk sjell asnjë zhvillim ekonomik për vendin dhe nuk prodhon as të mira materiale dhe as shërbime të mirëfillta për qytetarët, por thjesht sigurojnë fitime në thelb spekulative, të lejohen të dalin jashtë arkës publike, qoftë edhe pjesërisht”.

“Aq më shumë, shkruhet në deklaratë, është e papranueshme nëse këto të ardhura do të dalin jashtë vendit sikurse do të ndodhe nëse operatori, që do të menaxhojë Lotarinë Kombëtare do të jetë i huaj”.

Top Channel