Reeker: Jetike pavarësia e institucioneve

29/06/2012 18:50

Zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë Philip Reeker në një intervistë për Zërin e Amerikës deklaroi se një nga  përgjegjësitë e rëndësishme të Presidentit të ri në Shqipëri, është ruajtja e pavarësisë së institucioneve të tjera të vendit, siç janë shërbimet e zbulimit apo Prokuroria e Përgjithshme.

“Presidenca ka përgjegjësi të rëndësishme, siç është mbrojtja e pavarësisë së institucioneve në demokracinë e Shqipërisë, si shërbimi i zbulimit, apo prokuroria e përgjithshme, institucione që bashkëpunojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Kryerja e kësaj detyre është e rëndësishme për presidentin dhe ne mendojmë se është e rëndësishme që ai të punojë nga afër me komunitetin ndërkombëtar, në një kohë që ne mbështesim Shqipërinë për të ardhmen e saj Euro-Atlantike dhe synimet e saj të integrimit të plotë në familjen Euro-atlantike”, deklaroi zyrtari i lartë amerikan. 

Pas zgjedhjes së presidentit të ri, politikanët shqiptarë duhet t’i rikthehen plotësimit të rekomandimeve të Bashkimit Europian, thotë zoti Reeker në një intervistë për Zërin e Amerikës, në mënyrë që vendi të marrë statusin e kandidatit.

Zgjedhja e presidentit, thotë zyrtari i lartë amerikan, ishte një rast i humbur që palët të tregonin aftësinë për konsensus.

“Zgjedhja u krye me vota partiake në raundin e katërt. Në këtë kuptim ishte një rast i humbur për të treguar një konsensus kombëtar dhe aftësinë për të bërë kompromis. Thelbi i demokracisë qëndron tek aftësia për të bërë kompromis. Kjo, mendoj, është ajo që pret Bashkimi Europian, që pret populli në Shqipëri. Ne mendojmë se është e rëndësishme që udhëheqësit politikë, nga i gjithë spektri i politikës në Shqipëri, të rifokusohen në punën e tyre. Tani duhet të punojnë për 12 rekomandimet e rëndësishme, që Bashkimi Europian ka bërë para më shumë se një viti”, tha zoti Reeker.

Lidhur me rolin e ambasadorit amerikan në Shqipëri dhe ndërhyrjeve të shpeshta të tij në politikën vendase, por edhe nëpërmjet nismave, sic ishte ajo e bërë publike para pak ditësh “Vepro Tani”, zoti Reeker tha se qendrimi i ambasadorit Arvizu, ashtu si ato të paraardhësve të tij janë në përputhje me marrëdhëniet dhe raportet e ngushta miqësore mes dy vendeve.

“Shqipëria është një demokraci e re dhe ne duam ta ndihmojmë atë drejt integrimit europian, e sidomos në arritjen e qëllimit për marrjen e statusit të vendit kandidat”, tha zyrtari i lartë amerikan.

Top Channel