Shembet rruga, bllokohet aksi Cërrik-Belsh

26/06/2012 00:00

Fundosja e tokës ka bllokuar aksin rrugor Cërrik–Belsh dhe me mijëra
banorë janë izoluar totalisht. Në qendër të fshatit Shalës të komunës me
të njëjtin emër është krijuar një gropë karstike me një diametër 10
metër dhe 1 metër e thellë, që ka bllokuar të gjithë zonën e Dumresë.

Njëkohësisht fundosja ka nisur të prekë edhe disa shtëpi. Banorët e zonës tregojnë se fundosja e tokës ka ndodhur në më pak se një orë. Ky nuk është rasti i vetëm, ku gropat karstike kanë shkaktuar dëme tepër serioze në banesa apo toka bujqësore në këtë zonë. Policia ka bllokuar qarkullimin e mjeteve, duke bërë që ato të kalojnë në një rrugë dytësore, por mjetet e rënda nuk lejohet që të kalojnë në aksin dytësor, sepse rruga është jashtë standardit. Bashkim Elezi është një dëshmitar i ngjarjes. Ai tregon momentin kur nisi fundosja e rrugës. “Unë kam një lokal këtu afër dhe në momentin që toka nisi të rrëshqasë kaloi një furgon. Nuk dukej shumë gropa, pasi ishte shumë e cekët. Më pas kaloi një mjet i tonazhit të rëndë dhe ai i dha goditjen përfundimtare, duke rrezikuar të ngecej në gropën e krijuar. Toka u plasarit dhe në jo më shumë se një orë gropa u zgjerua dhe u thellua. Siç e shikon edhe vetë që ajo vetëm fundoset dhe deri në mëngjes rrezik se mund të krijohet ndonjë pellg me ujë”, tha Elezi për gazetën “Shqip”.

Ndërkaq Ylli Shinkolla është një prej banorëve që rrezikon të mbetet pa shtëpi. Fundosja e tokës ka shembur murin rrethues dhe hambarin ku ai ruan ushqimin për bagëtitë. “Jam shumë i trembur, se kështu si ka marrë situata rrezikon që të mbetem pa shtëpi. Sonte do t’i nxjerr fëmijët që të flenë jashtë, se rrezik na zë shtëpia brenda. Nuk jam vetëm unë që rrezikohem. Jemi gjithsej katër shtëpi. I bëj thirrje shtetit që të marrë masa urgjente, pasi situata është mjaft e rëndë”, ankohet Ylli Shinkolla.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar punonjësit e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve, për të parë nga afër situatën dhe për të marrë masat për normalizimin e lëvizjes në këtë aks rrugor kombëtar.

Specialistët thonë që duhet pritur deri sa fundosja e tokës të përfundojë, pasi kundër natyrës nuk mund të dilet. Sipas specialistëve, vetëm pasi toka të bjerë në qetësi, duhet të bëhet pastrimi i gropës dhe të menaxhohet uji nëse ka. Pas përfundimit të këtij procesi, gropa do të mbushet me inerte dhe asfaltohet, në mënyrë që qarkullimi i banorëve të Dumresë me Elbasanin apo zonat përreth të nisë normalisht.

Një fundosje toke e ngjashme me atë të djeshmen ka ndodhur në Komunën Shalës edhe në pranverën e vitit 2009. Në atë kohë, Drejtoria e Kullimit të Ujërave bëri shkarkimin e 2,7 milionë metrave kub ujë nga rezervuari i Kashtës në Shalës, sepse diga e rezervuarit ishte në rrezik të shpërthente, për shkak të zgjerimit të gropës që ishte aktive për gati një muaj dhe arriti një diametër prej rreth 21 metrash.

Top Channel