Të hënën nis java e kulturës dhe historisë çame. Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, kërkoi që shqiptarët të bashkohen për ata që u diskriminuan dhe u masakruan vetëm se ishin shqiptarë.

Ndërkaq, Idrizi njoftoi disa nga projektet për të cilat do të nisin punimet siç janë ndërtimi i varrezës monumentale në Kllogjer si dhe ndërtimi i kompleksit muzeal të Hasan Tahsinit dhe Bilal Xhaferrit në Ninat.

“Përgjatë gjithë kësaj jave, kemi planifikuar një seri aktivitetesh, të cilat nuk do të vendosin në pah fjalët e ftohta të diplomacisë dhe politikës, por në qendër të vëmendjes do të jenë fjalët e atyre që në moshë fare të vogël kanë parë masakrimin e të afërmve të tyre. Do të përqendrohet në bukuritë dhe në pasurinë historikë të Camërisë dhe në personalitetet e shquara të shqiptarëve të Camërisë”, deklaroi Shpëtim Idrizi në një komunikim me mediat.

“Gjithashtu çështja çame do të prezantohet në Kuvendin e Shqipërisë ku të gjithë deputetët do të njihen me tragjedinë e kësaj pjese të popullit shqiptar. Lajtmotivi i kësaj jave do të jetë dita e shtunë kur ne do të shlyejmë një borxh ndaj martirëve të kombit tonë që humbën jetën nga genocidi grek”, shtoi kreu i PDIU-së.

Top Channel