Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot personalitete të muzikës
dhe humorit. Presidenti i akordoi Arif Vladit, Artjola Toskës dhe Qerim
Sulajt urdhrin “Mjeshtër i Madh”.

Për Arif Vladin presidenti vlerësoi “kontributin e tij të çmuar në interpretimin mjeshtëror të këngëve të krahinave veriore, veçanërisht të zonës së Dibrës”. Kurse për Artjola Toskën për “kontributin e rëndësishëm në interpretimin me mjeshtëri të lartë artistike të këngëve të Shqipërisë së Mesme”.

Në motivacionin e Qerim Sulajn vlerësohej “kontributi i rëndësishëm në interpretimin me mjeshtëri të këngës së traditës të zonës së Dibrës, duke lënë një trashëgimi të vyer për kulturën e vendit”. Presidenti dekoroi edhe aktorin e humorit Behar Meraj me urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, “për kontribut të çmuar në argëtimin dhe ndërgjegjësimin e publikut, duke sjellë probleme të realitetit shoqëror, përmes humorit dhe satirës”.

Top Channel