Kryetare e të rinjve socialistë u shpall në mbrëmjen e së martës Elisa Spiropali, pas një gare disa javore në mbarë vendin me 5 konkurentët e tjerë.

Gjatë paradites, nga kongresi i të rinjve, Edi Rama bëri thirrje për fushatën e re elektorale dhe deklaroi se fitoren socialistëve nuk mund t’ua  vjedhin më kurrë.

Ai cilësoi zgjedhjen e Presidentit të Ri të vendit një shans të humbur për t’u afruar shpejt me Bashkimin Europian, ndërsa zotin Nishani një noter të Kryeministrit Berisha.

Duke përshendur këtë model të ri për zgjedhjen e kreut të FRESSH-it, kryesocialisti Edi Rama, iu drejtuar mijëra të rinjve eurosocialistë me mesazhin, se ata duhet të kthehen në zëdhënës së shpresës dhe jo kalorës të zhgënjimit.

“Jepuni edhe të tjerëve, të gjithëve rreth jush në shkollë, në universitet, në lagje, në qytet e fshat, mundësinë të ndiejnë shpresën dhe energjinë pozitive që ndjej unë prej pranisë këtu. jam më i bindur se asnjëherë se jo vetëm kjo ndihmë s’do të na mungojë, por do të jetë vendimtare për fitore që askush nuk do të mund të na i vjedhe dot më kurrë. Dua t’i shpreh të gjithë mirënjohjen dhe falenderimin tim më të sinqertë dhe ky është Sekretari për Rininë Erjon Veliaj”, tha Rama.

Një pjesë të gjatë të fjalës përshëndetëse në kongresin e FRESSH-it, Edi Rama ia ka dedikuar zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke theksuar se fitorja është e sigurtë, nëse përgatitjet e socialistëve janë maksimale, për të treguar rrugën e ndryshimit.

“Në këto qindra ditë të mbetura drejt zgjedhjeve, opozita jonë duhet të zhvillojë me njerëzit programin e vet qeverisës dhe Partia Socialiste do të çlirojë energjitë e të gjithë njerëzve që duan ndryshimin për të ofruar planin më të detajuar qeverisës, që një opozitë ka patur ndonjëherë në rrugën drejt fitoreve të zgjedhjeve, një plan të mbështetur tek vlerat tona shumë të çmuara, si forcë progresiste dhe tek eksperienca jonë. Programi ynë për një Rilindje Shqiptare do të zhvillohet si një përpjekje për ta qeverisur Shqipërinë ndryshe, por dhe për të bërë politikë në një rrugë tjetër nga e derisotmja”, tha Rama.

Edi Rama ka komentuar edhe votimin e së hënës në Parlament, nga ku Bujar Nishani u zgjodh President i vendit.

“Fatkeqësisht sot Shqipëria u gdhi me një noter partiak, në rolin e Presidentit të Republikës, duke i dhënë familjes europiane mesazhin më të gabuar përpara provimit të tretë të vjeshtës në Bruksel. Të hënën u humb një mundësi e madhe. Politika e verbër e ndasisë dhe kacafytjeve për çdo gjë, u imponua mbi politikën e dialogut dhe të mirëkuptimit për çështjet e mëdha të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Çështja e Bashkimit tonë me Europën mori një goditje të rëndë. Europa sot është më larg se dje. Shqipëria sot është më larg se dje nga familja europiane, ndërsa ne vetë socialistët dhe progresistët shqiptarë jemi ende më të vetëdijshëm sot për domosdoshmërinë e ndryshimit që duhet të sjellim medoemos në politikën shqiptare dhe në qeverisjen e vendit, për ta rilindur Shqipërinë”, tha Rama.

Top Channel