Ish-zëvendës Presidenti i delegacionit për vendet e Europës Jug-Lindore në Parlamentin Europian, Viktor Boshtinaru ka reaguar pas zgjedhjes së presidentit së Shqipërisë përmes një deklarate ku shprehet thellësisht i shqetësuar mbi mënyrën se si kryeministri Sali Berisha dhe Partia Demokratike vendosën të menaxhonin cështjen e zgjedhjeve presidenciale.

“Respekti për parimet demokratike dhe zgjedhja e një kryetari shteti konsensual do të  ishin të një rëndësie kyce për pajtueshmërinë me 12 prioritet e Komisionit Europian”, thotë Boshtinaru.

Sipas tij, në shumë raste tashmë Komisionit dhe Parlamenti Europian e kanë bërë të qartë se shpresonin që Shqipëria më në fund do të zgjidhte një president i cili të përfaqësojë zyrtarisht por edhe realisht unitetin e vendit, e jo një president i cili shpreh vetëm këndvështrimin partizan të një partie politike.

“Fatkeqësisht, nuk ishte ky rasti i Shqipërisë”, vazhdon deklarata. Zoti Berisha edhe një herë tregoi mungesën e aftësisë për të punuar në bazë konsesusi”.


“Padyshim, shtohet më tej, është e drejtë legjitime e Parlamentit shqiptar ta zgjedhë presidentin e vendit. Por mënyra sesi zoti Berisha dhe Partia Demokratike e imponuan kandidatin e tyre partiak, që ishte vetë Ministri i Brendshëm, është dicka që vetëm sa ngre pikëpyetje dhe shqetësime në mesin e miqve të Shqipërisë”, shton Boshtinaru, ndërsa e mbyll deklaratën e tij me pyetjen: Kur do të lënë mënjanë interesat e tyre personale Berisha dhe partia e tij e ta rikthejë vendin në rrugën e Bashkimit Europian?

Top Channel