Drita Pelingu ngjitet në skenë

06/06/2012 00:00

“Përjetësisht Dashuria”, quhet pjesa e shkruar nga Mihal Luarasi, e cila do të vihet në skenë këtë fundjavë në Teatrin Kombetar. Drama lirike do të interpretohet nga gjigantja e skenës, Drita Pelingu në rolin e Zerinës dhe nga aktori i mirënjohur Vangjel Toçe në rolin e bashkëshortit të saj Dionit dhe është realizuar me skenografi të Genc Shkodranit.

Në qendër të saj është problemi i vetmisë së brezit të tretë, të cilët pas largimit të fëmijëve në emigracion kanë mbetur vetëm.

“Është shkruar enkas për zonjën Drita Pelingu dhe ka qenë një kënaqësi e nder për mua që u realizua ky qëllim i autorit për të realizuar këtë vepër për të. Nga ka lindur kjo ide? Është një fakt jetësor, vazhdimisht njihemi me raste të tilla, edhe tragjike. Pra është një problem që duhet të zgjidhet nga shoqëria jonë”, thotë regjisori Luarasi.

Pjesa trajton një temë reale dhe servir për publikun një narrativë të detajuar të peripecive emocionale që të moshuarit kalojnë në situata të caktuara. Ngjarja zhvillohet në 24 orë, në të cilat çifti jeton në një lloj ëndërre të krijuar nga frika e tyre. Në ato orë e gjithë jeta, hallet, shqetësimet, por edhe dashuria e tyre e pashuar vërtiten në mendjen, bisedat por edhe kujtimet e tyre.

“Sigurisht është e vështirë, por unë e dua kaq shumë rolin tim, sa gati-gati nuk e ndjej vështirësinë. Këtë rol e ndjej pranë vetes, e ndjej në rrethin tim familjar, në shoqërinë timë dhe më vjen mirë që karrierën time artistike po e mbyll pikërisht me një vepër të tijën”, thotë aktorja Pelingu.

Ka qenë një ëndërr e zonjës Pelingu, e shprehur në 85-vjetorin e saj të lindjes, për të performuar në këtë rol të fundit.

Skenari është shkruar qe në vitin 2003 dhe është realizuar me ndihmën e Ministrit të Kulturës Aldo Bumçi.

Top Channel