Tani kinezët kanë zbuluar ushqimin “e pastër”

02/06/2012 00:00

Pekini është bërë prodhuesi i parë botëror i impianteve me erë, biomasë
dhe paneleve diellore. Nga të qenët një mbeturinë ushqimore dhe ndotësi i
parë i planetit, po shfaqet si superfuqi ekologjike. Një bast që
Perëndimi nuk mund ta injorojë.

Edhe Kina, që është ndotësi numër një në botë, së fundmi është avitur andej nga tregu botëror i ushqimeve bio dhe tek ato të “green economy”. Sipas të dhënave, gjatë kësaj kohe është regjistruar rritje e konsumit të këtyre ushqimeve të shëndetshme, sidomos nga pasanikët. Në Kinë numërohen rreth 400 milionë individë që kanë filluar të konsumojnë ushqime bio. Ish-komunistët që i janë rikthyer kapitalizmit nuk renditen më të fundit në listën e atyre shteteve që bëjnë një jetë të varfër. Një studim shokues i Akademisë së Shkencave të Pekinit zbuloi se një kinez i moshës së mesme dhe me trup mesatar është 8,2 vjet më i vjetër sesa mosha e shënuar në regjistrin e gjendjes civile. Shqetësimi për sigurinë e ushqimit, cilësinë e ujit dhe të ajrit ka zënë papritur vendin e parë te një popullsi që pretendon nga autoritetet një “kthesë të gjelbër”.

Kina energjetike, për të ruajtur qëndrueshmërinë sociale, ka zgjedhur që të ndjekë rrugën e mjedisit dhe për bujqësinë e industrinë është prezantuar biznesi më i madh i shekullit. Qëllimi i Pekinit nuk ka precedentë, por dëshiron vetëm të bëhet lider i rritjes ekonomike, duke respektuar natyrën. Propozimi është i tregut, ndërkohë që mjetet përfaqësojnë një sfidë më vete: në pesë vjet janë shpenzuar mbi 5 miliardë dollarë për të përmirësuar energjinë, për kthimin e centraleve me karbon, ndërtimin e qyteteve me impakt zero, përurimin e rrugëve ndërtimin e grataçielave të ideuara si centrale termike, të ushqyera nga burime natyrore dhe të vetëfinancuara.

Zëvendësministri i Zhvillimit, Xie Zhenhua, ka pohuar se qëllimi i tij është ulja e intensitetit energjetik me 16%, ndërsa ai i karbonit me 17% para vitit 2015. Brenda asaj date, qeveria do të investojë edhe 316 miliardë dollarë për uljen e ndotjes. Gjithsesi, vetë modeli i zhvillimit do të jetë revolucionuar: do të ketë më pak industri të vjetra pa impiante pastrimi. Kuota e shërbimeve në PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto), nga ajo aktuale që është 43%, do ta kalojë 47%, duke iu afruar asaj amerikane. Ndoshta për të tjerët, ky është një sforcim i tepërt. Këtë vit Pekini po investon 16 miliardë dollarë për energjitë e kthyeshme, ndërkohë që po kaq të holla do të shpenzohen për të favorizuar shpërndarjen e automjeteve dhe elektro-shtëpiakeve që kursejnë energji.

Një studim i Bankës Botërore ka dokumentuar se vitin e kaluar, Kina zuri vendin e parë të investimeve në “green economy”, me ndarje buxhetore për gati 55 miliardë dollarë. Përfundimi? “Dragoi”, prodhuesi i parë botëror i impianteve me erë dhe biomasë, i paneleve diellorë dhe i 50 centraleve bërthamorë në ndërtim brenda vitit 2020 do të financojë një projekt për përmirësimin e energjisë. Revolucioni i gjelbër i Kinës nuk do të mbetet vetëm një projekt politik. Autoritetet dhe investuesit privatë parashikojnë se brenda tre vjetësh, ky biznes do të sjellë 350 miliardë euro fitime. Fabrika e vjetër e botës po rinovohet si një superfuqi e gjelbër. Përveç suksesit të ndryshimit, Kinës i duhet të përballet me Shtetet e Bashkuara, pasi janë të vendosur të mos e lënë t’u ikë nga duart kontrolli i biznesit të së ardhmes.

Në një sondazh tek “E përditshmja e popullit”, 80% e kinezëve deklaruan se janë shumë të shqetësuar për cilësinë e mjedisit dhe e kanë drejtuar gishtin kundër korrupsionit që lulëzon mes firmave private dhe funksionarëve të partisë. Por çuditërisht efektet e mirëqenies janë më rezistente se ato të vështirësive. Tema e kryesore e reklamave janë ushqimet biologjike, duke lënë në heshtje qendrat komerciale.

Në vitin 2011, sektori bio në Kinë shënoi rritje vjetore 45% dhe mbi 64% gjatë katër muajve të parë të 2012-s. Nëntë në dhjetë kinezë, të tronditur nga skandalet ushqimore të viteve të fundit, deklarojnë se shpenzojnë më shumë për të ngrënë shëndetshëm dhe se tani ushqimet organike nuk janë më tabu. Në vitin 2007, ushqimet biologjike në Kinë vlenin 1 miliard euro. Në vitin 2011 morën certifikatën bio 678 ndërmarrje bujqësore kundrejt 345 që ishin në 2010-n. Në katër muajt e parë të vitit 2012, u pajisën me certifikatë 380 firma të tjera.

Ndjeshmëria e re e gjelbër e kinezëve është e tillë saqë periferitë e metropoleve, fillimisht të pushtuara nga plehrat, tani janë të mbjella me kopshte, pemë frutash, kullota dhe ferma të lëshuara me qira. Kjo është moda e fundit e përhapur në të gjithë Azinë, një bast që Perëndimi nuk mund ta injorojë.

Top Channel