Berisha: Reformim administratës publike

29/05/2012 09:30

Kryeministri Sali Berisha, në një fjalim të mbajtur në konferencën për reformën në administratën publike, ka premtuar se ajo do të bëhet në përputhje me nevojat aktuale.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka pranuar se që nga rënia e regjimit komunist e deri më sot, administrata është përballur me një sërë vështirësish me sfond politik.

“Në këto 20 vjet roli i administratës ka qenë jetësor për transformimin e vendit. Administrata është përshtatur me një dinamizëm, është përballur me vështirësi serioze, trysni politike dhe me pamundësi për arsye politike”, ka deklaruar Berisha.

Sipas kreut të qeverisë, administrata publike duhet të ridimensionohet dhe të marrë ndryshimet e domosdoshme në përputhje me prurjet më cilësore.

“Vlerësimet e ekspertizës së huaj i përshtaten plotësisht kohës dhe nevojave të shërbimit publik. Janë vlerësime që ridimensionojnë shërbimin publik dhe mbrojnë punonjësit”, ka thënë Berisha.

Ai ka bërë të ditur se qeveria po përgatitet për të hapur shkollën e administratës publike, që sipas tij do garantojë përgatitjen e vazhdueshme të punonjësve të administratave.

“Kalimi i ligjit të Gjykatës Administrative dhe vendosja e sistemit të saj do jetë kodi i ri për proçedurat administrative. Bashkë me ligjin për funksionimin e administratës publike, ato janë tre zhvillime të tjera madhore që do ndikojnë në profesionalizimin e administratës publike në Shqipëri”, ka shtuar Berisha.

Ndërsa ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, në fjalën e tij ka premtuar vazhdimin e asistencës së faktorit ndërkombëtar në proçesin e reformimit të administratës.

Ai ka vlerësuar se shërbimi publik shqiptar ka bërë një sërë progresesh, i ndihmuar nga programet e trajnimit të BE-së, por ka shtuar se ka ende vend për përmirësime, në mënyrë që administrata të jetë sa më transparente.

Top Channel