Të krijosh dinosaurin nga ADN-ja e pulës

28/05/2012 17:30

Të kthesh kasetën e evolucionit pas  e të sjellësh sërish në jetë dinosaurët…e për më tepër duke shfrytëzuar ADN-në e një pule.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë skenar kinematografik, por për një projekt shkencor në të cilin studiues, paleontologë dhe biologë kanë nisur punën. Shkencëtarët kanë bërë disa hapa të rëndësishme në punën e tyre kërkimore dhe kanë arritur të modifikojnë embrionin e pulës duke zbuluar dhëmbët e duke e manipuluar  pjesën përgjegjëse të sqepit, cka ka “prodhuar” lloje të ndryshme të tij.

Shkencëtari Hans Larsson nga Universiteti McGill dhe grupi i tij është duke punuar për rindërtimin e kodit gjenetik të dinosaurve, nisur nga embrioni i pulës. Nisma e tij, ka tërhequr vëmendjen e paleontologut amerikan, Jack Horner, ai që frymëzoi Michael Crichton të shkruante Jurasicc Park në vitin 1993.

Kanë kaluar gati 20 vjet që nga koha kur Crichton imagjinoi në librin e tij klonimin e dinosaurve pas gjetjes së ADN-së së tyre tek një mizë, e cila miliona vite më parë po ushqehej me gjakun e dinosaurit dhe “gabimisht” ngeci tek fosilet, duke mbërritur deri në ditët tona.

Jurassic Park, libri dhe filmi i paraprinë shkencës. Në vitin 1997 kafsha e parë e klonuar ishte një dele me emrin Dolly, më pas një dhi, por asnjëherë deri më sot ndonjë reptil. Po në këto vite, u nisi edhe projekti i klonimit të njeriut, por i ndërprerë për shkak të kundërshtive të forta të institucioneve fetare, shoqërisë, politikës, madje edhe të një pjese të konsiderueshme në qarqet e shkencëtarëve e biologëve.

“Falë studimit të embrioneve, dimë që një fetus, gjatë rritjes së tij tregon evolucionin e species. Embrioni i një pule nuk ka që në fillim as krahët dhe as sqepin, por ka këmbët me tre gishta, dhëmbët dhe bishtin”, thotë paleontologu me famë botërore, Jack Horner.

Horner e di që puna e tij për ringjalljen e dinosaurve nga ADN-ja e një pule do të etiketohet si amorale, por këmbëngul se etika dhe morali nuk cënohet nga ky kërkim.

“Nuk është aspak e rrezikshme, nuk do mundohemi të ndryshojmë kompozimin gjenetik të pulës, por do të kufizohemi duke manipuluar faktorët e rritjes së embrionit të saj”, thotë ai.

Top Channel