Aksidenti, hetime edhe për rrugën

23/05/2012 00:00

Parametrat e rrugës ku ndodhi aksidenti në Himarë janë duke u hetuar nga prokuroria e Vlorës e cila po ndjek cështjen e aksidentit tragjik që i mori jetën 13 personave.

Përvec ekspertimit teknik të mjetit që u përfshi në aksident prokuroria po verifikon edhe vetë rrugën. Dyshimet e para flasin se rruga në kthesën ku ndodhi aksidenti ka pjerrësi në krahun e greminës dhe jo nga ana e malit.

Prokurorët kanë marrë në pyetje edhe studentët e mbijetuara për të mësuar në lidhje me castet e fundit të aksidentit dhe reagimin e drejtuesit të mjetit. Sipas dëshmive shoferi ka përmendur pamundësinë për të ndaluar.

Vendi i ngjarjes së rëndë është i njohur për pjerrësinë e madhe deri në 17 gradë dhe tabelat rrugore aty kërkojnë lëvizje me shpejtësi shumë të ulët.

Pikërisht tek shpejtësia, në orët e mbrëmjes së mërkurë, grupi hetimor zbardhi të dhënat e regjistruesit të kilometrazhit, sipas të cilave në momentin e aksidentit, autobusi ka qenë me 40 kilometra në orë.

Kjo shpejtësi sipas grupit hetimor ka qenë dy herë me e lartë se sa norma e lejuar në këtë lloj rruge. Ndërsa sa i takon anës teknike të mjetit, sipas tyre gjithcka ka rezultuar në rregull nga hetimet e deritanishme.

Top Channel