Greqia do të mbajë zgjedhje të reja të parakohshme në datën 17 qershor, ndërsa deri atëherë do të jetë një gjykatës i lartë ai që do të drejtojë vendin.

Presidenti i Këshillit të Shtetit, Panajotis Pikramenos, do të jetë kreu i ekzekutivit që do të ketë si detyrë kryesore përgatitjen e zgjedhjeve dhe zbatimin e pikave për marrjen e rregullt të kësteve të kredisë nga vendet e BE-së, gjatë katër javëve deri në zgjedhje.

Datën e zgjedhjeve, e lajmëroi të mërkurën Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias, i cili nëpërmjet një deklarate shprehu edhe pakënaqësinë e tij për mosarritjen e një marrëveshje midis liderave politikë.

Zgjedhjet e 6 majit nuk mundën t’u japin forcave politike filo-europiane shumicën parlamentare 150+1, ndërkohë që partitë ekstremiste, si të majta, ashtu edhe ato të djathta, refuzuan kategorikisht pjesëmarrjen në një qeveri koalicioni që nuk rrëzon marrëveshjet me kredidhënësit ndërkombëtarë, që detyron Greqinë të ndërmarrë reforma të ashpra financiare për uljen e borxhit publik.

Sondazhet paraprake nuk janë optimiste. Sipas tyre, të majtët radikalë, forca e dytë e zgjedhjeve të 6 majit, pritet të marrin shumicën duke u radhitur si forcë e parë në parlament, gjithsesi pa mundur të sigurojë shumicën qeverisëse, ndërsa të tjera sondazhe flasin për një forcim të konservatorëve të Demokracisë së Re, por edhe për një ngritje të lehtë të socialistëve të PASOK, ndërsa humbasin mbështetjen nacionalistët, komunistët dhe neo-nazistët. 

Shumica e qytetarëve besojnë se përsëri nga zgjedhjet nuk do të ketë fitues, pasi ata vazhdojnë të jenë ende të përçarë, të frikësuar, në dilemë.
 
Nëse votojnë dy partitë e qendrës PASOK dhe Demokracia e Re, do të qendrojnë vërtet në euro, por ato do të vazhdojnë reformat e dhimbshme me reduktime të ndjeshme rrogash, pensionesh dhe rritje taksash. Nëse votojnë pro ekstremeve të majta dhe të djathta, votojnë kundër marrëveshjes së kredisë dhe BE kërcënon se do ndërpresë ndihmën, si rrjedhim vendi falimenton dhe kthehet në dhrahmi.
 
Opinioni publik vazhdon të ndjekë ngjarjet me shqetësim akoma më të madh, ndërsa është tashmë e qartë se zgjedhjet konsiderohen nga Brukseli dhe Berlini si një  referendum për euron. Votimi i radhës është cilësuar nga kreu i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso si historik. “Tashmë u takon grekëve, tha Barroso, të marrin vendime të përgjegjshme për të ardhmen e tyre. Ata e dinë që zgjedhjet e qershorit kanë një rëndësi historike për Greqinë”.

Dilema e grekëve “Brenda apo jashtë euros” është kthyer orët e fundit në lajmin kryesor më të diskutueshëm në të gjitha mediat botërore.

Top Channel