Në një levizje të paparalajmëruar më parë, Presidenti amerikan Barak Obama mbërriti në Afganistan për një ndalesë që përkon me përvjetorin e parë të vrasjes së Osama Bin Ladenit.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë u takua me homologun afgan Hamid Karzai, me të cilin dhe nënshkruan marrëveshjen strategjike mbi ardhmërinë e marrëdhënieve dypalëshe.
Pakti nënvizon rolin e Shteteve të Bashkuara në Afganistan pas 2014-ës, kur shumica e trupave luftarake të NATO-s duhet të jenë të tërhequr nga vendi.
Ky është udhëtimi i tretë i Obamës në Afganistan që prej marrjes së postit. Rrugëtimi i Presidentit amerikan vjen në një moment delikat për marrëdhëniet mes dy vendeve, të tensionuara së tepërmi nga skandalet që kanë përfshirë ushtarë amerikanë, ndërsa nga ana tjetër po shihen mundësitë e bashkëpunimit ushtarak dhe ekonomik përtej 2014-ës. Duke pasur parasysh se pakti i partneritetit strategjik do të firmoset tani, në përvjetorin e Bin Ladenit, zyrtarët amerikanë nxituan ta cilësojnë këtë si një ditë të shënuar për popullin afgan dhe atë amerikan.
Mbi 130.000 trupa nga 50 vende të botës shërbejnë në Afganistan dhe Amerika është kontribuesi më i madh me një forcë ushtarake prej 90.000 vetësh. Lufta e nisur në 2001-in është sot tmerrësisht jo popullore në Shtetet e Bashkuara. Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se 72 % e popullsisë është totalisht kundër saj.
Udhëtimi i Obamës konsiderohet një hap simbolik drejt vendosjes së një marrëdhënie të qëndrueshme afatgjatë mes dy vendeve.
Sipas BBC-së, ai kërkon gjithashtu të sigurojë popullin afgan se nuk do të braktiset nga komuniteti ndërkombëtar edhe pasi operacionet e NATO-s atje të përfundojnë.
Sa për talebanët, edhe atyre u dërgohet një mesazh i qartë: Mos mendoni se do ta merrni në dorë kontrollin e këtij vendi pas tërheqjes së amerikanëve.
Top Channel