Në Uashington kryeministri Sali Berisha u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner me të cilin biseduan rreth zhvillimeve politike dhe ekonomike në Shqipëri, si dhe përpjekjeve për përmbushjen e rekomandimeve për marrjen e statusit kandidat.

Ajo që ka vlerësuar vecanërisht kryeministri Berisha është mbështetja që Kongresi dhe presidenti amerikan i kanë dhënë shqiptarëve për anëtarësimin e vendit në NATO.

Kryeministri Berisha siguroi kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve se pas kësaj arritje historike, qeveria shqiptare ka si prioritet kryesor anëtarësimin sa më të shpejtë në Bashkimin Europian.

Njoftimi zyrtar thotë se zoti Boehner vlerësoi përpjekjet e kryeministrit Berisha kur e cilësoi si të mrekullueshme punën e tij për të cuar vendin në rrugën e duhur si dhe u shpreh i kënaqur nga raportet që i vijnë Kongresit mbi zhvillimet në Shqipëri.

Gjatë qendrimit në Uashington, zhvilloi një takim edhe me grupin e miqësisë SHBA-Shqipëri, ku marrin pjesë disa kongresmenë të njohur demokratë dhe republikanë, si Eliot Engell, Robert Aderholt, Dana Rohrabaher dhe Stiv Cabot.

Në takim u vlerësuan transformimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në Shqipëri, gjatë viteve të fundit, në të gjitha fushat, si edhe potencialet e mëdha që Shqipëria ofron për investitorët amerikanë.

Kongresmenët i konfirmuan kryeministrit mbështetjen e plotë të tyre ndaj Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare në rrugën e reformave.

Top Channel