" /> ">

Presidenti Bamir Topi i ftuar të enjten në emisionin “Top Story”
deklaroi, se në fund të mandatit të tij presidencial do të rikthehet në
politikë, por e quajti të mbyllur kapitullin me Partinë Demokratike. 

I pyetur ne lidhje me formacionet e reja politike qe po krijohen, Topi u shpreh se ky eshte nje zhvillim shume pozitiv, por rezervoi te deklarohej pas tre muajsh për pozicionin e tij të ri.

Presidenti Topi: Karriket janë bërë shumë të mërzitshme për mua. Në rast se unë kthehem në politikë unë kthehem si një misionar, për të realizuar atë, që sikurse u pa edhe më parë, njerëzit kanë filluar të kenë frikë edhe për të folur.

Sokol Balla: Cili do të jetë misioni juaj politik?

Presidenti Topi: Misioni do të jetë për të folur haptas për të gjitha gjërat, sepse është një mundësi shumë më e madhe kur je në politikën aktive direkt, se sa kur je President

Sokol Balla: Më vjen ndër mend që në bazë të statutit të Partisë Demokratike, ju jeni edhe anëtar i përhershëm i Këshillit Kombëtar të kësaj partie?

Presidenti Topi
: Eshtë një kapitull i mbyllur, e kanë mbyllur pikërisht ata, që mesa duket e pritën atë ditë që të më largojnë, qoftë edhe me ngritje në detyrë. Në jetën time qytetare, profesionale dhe politike, asnjëherë nuk jam sulmuar më shumë se sa nga ata që, me të cilët kemi kaluar sfida të jashtëzakonshme

Presidenti nuk la pa pergjigje edhe deklarimet e Fatos Nanos një javë më pare në të njëjtën studio. Ish-kryeministri, e cilesoi, si jo presidencial reagimin e Topit në ngjarjet e 21 janarit.

“Natyrisht ndjej një lloj keqardhje, sepse ai s’ka bërë gjë tjetër, vetëm ka perifrazuar gjuhën e Berishës, duke dashur që të jetë tërheqës, për të marrë mbështetjen e tij, për të qenë në krye të shtetit. Sot është momenti që patjetër, çdo njeri që ka projekt politik, qoftë edhe një projekt për të shkuar në zyrën e kreut të shtetit do të duhet që ta bëjë në mënyrë dinjitoze, sigurisht është e drejta e zotit Nano dhe e cilitdo tjetër të konkurrojë. Unë i uroj sukses në ambicjen e tij, por për t’ju referuar edhe njëherë asaj që ai tha, si politikan i vjetër me eksperiencë, do t’i uroja që këtë garë ta përballojë me dinjitet”, tha Topi.

Presidenti u deklarua ashpër për opozitën dhe rolin e saj, ndërsa komentonte situatën në disa institucione si Televizioni Publik, por edhe media në përgjithesi.

“Ka edhe televizione që shkojnë në favor të pushtetit, ka media të shkruara që shkojnë në favor të pushtetit, një pjese të opozitës… Përderisa edhe Televizioni Publik shqiptar është kthyer në një frëngji, ku bombardohet cdo ditë institucioni i Presidentit dhe media tjetër rri dhe bën sehir, opozita që e ka detyrë, për ta përballuar këtë sfidë të demokracisë në Shqipëri, për fat të keq është në gjumë. Pse jemi mësuar, pse jemi ambientuar, duke ikur nga një diktaturë, për të kaluar në simptomat e një diktature tjetër. Kjo është një akuzë, e cila vjen edhe është më e rëndë për ju që e keni frikë ta dëgjoni. Si mund të thotë Presidenti ndryshe, kur Televizioni Publik Shqiptar, që me Kushtetutë është institucion që i shërben të gjithëve, imazhit të vendit, i cili funksionon me taksat e shqiptarëve, është një institucion në dorën e Kryeministrit?”, u shpreh  Topi.

Presidenti deklaroi se duhet që në të mirë të vendit, pasardhesi i tij te zgjidhet me konsensus. Ndërsa u shpreh se ishte mirënjohës, për të gjithë ata që e votuan në zgjedhjen e tij 5 vjet më parë.

“Ç’rëndësi ka nëse është i një krahu apo një tjetri. Kjo nuk do të thotë që unë nuk jam për profilin e një presidenti, që vjen nga radhët e politikës, madje jam për këtë model. Një politikan duhet të vijë në krye të shtetit pa përjashtuar që në atë pozicion mund të vijë edhe një njeri që vjen nga rrethet akademike, por mënyra se si është luajtur me këtë institucion, patjetër që kërkon njeri me përvojë politike për të përballuar presionet e jashtëzakonshme, presione që vijnë jo thjesht nëpërmjet një komunikimi zyrtar, por nëpërmjet një trysnie publike, nëpërmjet mediave,nëpërmjet një gjuhe shumë të ashpër politike”, tha Topi.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel