Takimi me Nanon, njihet grupi i PS

26/04/2012 22:45

Gjatë pasdites të së enjtes është mbledhur grupi parlamentar i PS në një mbledhje të programuar gjatë paradites por e shtyrë, për shkak të takimit të Fatos Nanos me Edi Ramën.

Burime nga grupi parlamentar i opozitës i thanë Top Channel se zoti Rama fillimisht ka njohur deputetët me atë cfarë është biseduar gjatë takimit me Fatos Nanon, duke ritheksuar se fillimisht duhet të nisë një dialog që do të vijojë procesin për të shkuar më pas tek emrat e kandidatëve.

Gjithashtu po të njëjtat burime pohuan se nuk ka patur ndonjë qëndrim personal të deputetëve përfshi ata të cilët potencialisht mund të jenë mbështetës të liderit historik të së majtës.

E vetmja nga deputetët socialistë që është prononcuar në përfundim të mbledhjes në lidhje me vizitën e Fatos Nanos në selinë rozë ishte Arta Dade.

“Besoj se media e ka studiuar me laps në dorë komunikatën për shtyp që ka nxjerrë PS sot. Ne s’jemi ende në fazën që do të diskutojmë emra. Në kohën e duhur padyshim që do të ketë edhe PS kandidatin e vet. Nuk shikoj as hezitim dhe as entuziazëm për të mbështetur emra të caktuar cilatdo qofshin ato sepse tashmë jemi të fokusuar vetëm tek procesi”, tha znj. Dade.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS është diskutuar edhe për hapin tjetër që pritet të hedhë opozita në lidhje me programin “Për një rilindje kombëtare”.

Zoti Rama ka bashkëbiseduar me deputët në lidhje me kalendarin e takimeve në rrethe nga ku PS do të prezantojë për qytetarët progamin i cili si fazë të parë kishte diskutimin nëpërmjet tryezave të organizuara me grupet e interesit.

Top Channel