Zyrtarët e BE-së, takim për 12 prioritetet

25/04/2012 00:00

Vizitës së tre majit në Tiranë të komisionerit për Zgjerim Stefan Fule i ka paraprirë një analizë në Ministrinë e Integrimit për progresin e arritur jo vetëm në plotësimin e 12 prioriteteve, por edhe në implementimin e tyre.

I ardhur nga Brukseli, Vasilis Maragos, shef i njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Integrimit, së bashku me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, për dy ditë gjatë këtij takimi konsultativ do të njihen fillimisht për progresin e deritanishëm, që është arritur në komisionet e rreformës parlamentare dhe asaj zgjedhore.

Pak përpara nisjes së takimit ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu ka shtërnguar duart me deputetët e opozitës, antarë të dy komisioneve parlamentare.

“Kemi në diskutim 5 pikat e para, pra ato që kanë të bëjnë me pjesën e kriterit politik dhe që janë pjesë e planit të veprimit për të parë ecurinë dhe zhvillimet që kanë ndodhur përgjatë 1 muaji nga momenti që ne kemi dorëzuar planin e veprimit, i cili siç e dini u hartua me një kontribut të të gjitha palëve. Ky proçes është një proçes që më shumë nga të gjithë varet nga ne vetë, pra varet nga ecuria dhe zbatimi i detyrimeve që janë para nesh”, ka deklaruar Bregu.

Ndërsa ambasadori i BE-së Sequi deklaroi se ky vit duhet të jetë me shumë rëndësi për shqiptarët. “2012 duhet të jetë një vit i mundësisë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE, por duhet një angazhim i fortë dhe serioz, vendosmëri e sinqertë dhe bashkëpunim i plotë”, tha ai.

Top Channel